Kuvendi e zgjodhi Nenad Saveskin për prokuror të ri publik të shtetit
- Kuvendi sot në seancën e 94-të, zgjodhi Nenad Saveskin për Prokuror të ri publik të shtetit. Zgjedhja e Saveskit u përkrah nga 66 deputetë, dy votuan kundër, ndërsa tetë të përmbajtur.
Shkup, 18 mars 2026 (MIA) - Kuvendi sot në seancën e 94-të, zgjodhi Nenad Saveskin për Prokuror të ri publik të shtetit. Zgjedhja e Saveskit u përkrah nga 66 deputetë, dy votuan kundër, ndërsa tetë të përmbajtur.
Propozimin e Qeverisë për zgjedhjen e Saveskit si Prokuror publik të shtetit para deputetëve e shpjegoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
Ai theksoi se Saveski është profesionist dhe i dëshmuar në punën e tij që siç tha, madje "pa asnjë njollë në karrierën e tij profesionale".
"Maqedonia ka nevojë urgjente për drejtësi dhe sundim të ligjit. Ka nevojë për një hapje dhe procedim të qartë të rasteve që do të përmirësojnë imazhin e shtetit dhe sistemin prokurorial-gjyqësor", theksoi Nikolloski.

"Fatkeqësisht, kjo gjendje e sistemit prokurorial-gjyqësor është një gjendje që nuk u jep besim qytetarëve, një gjendje që i bën qytetarët të mos i besojnë sistemit, më shpesh të ketë padrejtësi se sa drejtësi, dhe atëherë kur ka drejtësi, për shkak të skepticizmit që ekziston te qytetarët, ata pyesin veten nëse është marrë vërtet vendimi i duhur. Nuk është rastësi që nuk ka debat, nuk ka debat dhe nuk ka kritika serioze ndaj sistemit prokurorial-gjyqësor, ashtu siç nuk është rastësi që vlerësimi i këtyre dy institucioneve është rreth 2 për qind. Kjo është një detyrë serioze për Prokurorin e ri publik që ne propozojmë, ai është magjistri Nenad Saveski, një person që ka qenë në sistemin prokurorial-gjyqësor për një kohë të gjatë, me stazh dhe përvojë serioze, ai ka qenë prokuror, gjykatës dhe tani do të ketë përsëri mundësinë të jetë i pari midis prokurorëve", theksoi Nikolloski.
Shtoi se ky është një personalitet dhe një nga shembujt e shkëlqyer në gjyqësorin dhe prokurorinë e vendit i cili nuk ka asnjë njollë pas vetes.
"Kemi një njeri që është i motivuar dhe që do të jetë i pari që do të vendosë drejtësi në Maqedoni", theksoi Nikolloski para deputetëve.
Skënder Rexhepi nga Fronti Evropian iu referua historisë së Prokurorisë, duke deklaruar se Prokuroria ka ndarë drejtësi selektive në rastet që përfshijnë qytetarë shqiptarë.
"Prokuroria është selektive në ndarjen e drejtësisë ndaj shqiptarëve, gjërat kanë lëvizur në atë drejtim, ka shumë raste në të cilat shqiptarët janë përballur me drejtësi selektive, ndërsa të gjithë prokurorët publikë janë mbështetur nga përfaqësuesit shqiptarë dhe asnjëri prej tyre nuk ka qenë i kujdesshëm dhe ka kryer drejtësi selektive në të gjitha rastet... Padrejtësia ndaj qytetarëve nuk plaket dhe nuk harrohet, ajo duhet të mbetet e gdhendur dhe të dëshmojë se një institucion i caktuar gjatë gjithë këtyre viteve ka bërë një padrejtësi ndaj një kategorie të caktuar qytetarësh", ka thënë Rexhepi.

Ai përmendi disa raste në të cilat vlerësoi se është ushtruar drejtësi selektive, ndërsa veçoi rastin "Alfa", "Monstra", por edhe rastin e zjarrit në Koçan, për të cilin tha se ish prokurori ka ushtruar drejtësi selektive.
Deputeti i BDI-së, Ilir Hasani, tha se Saveski ka një përvojë të gjerë profesionale dhe është një personalitet për të cilin nuk mund të thuhet ndonjë fjalë e keqe, por vuri në dukje se nga ai ka pritshmëri të larta.

"Pres që ai të veprojë në mënyrë aktive", tha ai ndërsa përmendi rastin e Almirit, rastin "Alfa", spitalin modular në Tetovë, por edhe zjarrin në Koçan.

Jovanka Trençevska nga LSDM theksoi se do të ishte e pandershme të mos pranohej përvoja e gjerë në biografinë e Nenad Saveskit, se ai është një personalitet që ka kaluar vite në sistemin gjyqësor, që i njeh procedurat, që ka marrë pjesë në raste komplekse, por shtoi se pyetja që duhet shtruar sot “nuk është vetëm se kush është kandidati, por në çfarë sistemi po vendoset”.
Deputetja Monika Zajkova nga PLD theksoi se përzgjedhja e prokurorit publik nuk është vetëm një vendim kadrovik i cili do të zgjidhet përsëri në të njëjtën mënyrë, por do të priten rezultate.
"Këto janë zgjedhje që nënkuptojnë test për shtetin dhe mbi të gjitha provë nëse më në fund do të kemi drejtësi të vërtetë apo do të vazhdojmë me drejtësi selektive", tha Zajkova.

Saveski, i cili për momentin është gjykatës në Gjykatën Themelore Penale - Shkup, për prokuror publik shtetëror u nominua nga Qeveria më 10 mars. Kandidatura e tij vjen pas dorëheqjes së ish-prokurorit Ljupço Kocevski, dhe pas një procedure në të cilën morën pjesë pesë kandidatë.
Ai ka lindur në vitin 1976, jeton në Gostivar, është magjistër i Shkencave Juridike në të Drejtën Penale, i diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë “Justiniani i Parë” pranë USHKM në Shkup, ku kreu edhe studimet e tjera. Provimin e jurisprdencës e kaloi në vitin 2003. Saveski nga viti 2016 është gjyqtar në Gjykatën Themelore Penale – Shkup, në degën për krim të organizuar dhe korrupsion. Më parë, nga viti 2009 deri në 2016, ka punuar si prokuror në Prokurorinë Themelore, ndërsa nga 2004 deri në 2009 ka qenë bashkëpunëtor i specializuar në Gjykatën Themelore të Gostivarit. Në këtë gjykatë nga 2000 deri 2002 ka punuar si praktikant gjyqësor.
Në biografinë e tij janë përfshirë edhe angazhime ekspertësh dhe ndërkombëtare: ka qenë ekspert në OSBE Maqedoni, në Konventën Kombëtare për BE – Neni 23, si dhe në projekte të Këshillit të Evropës, OSBE-së dhe USAID.
Është anëtar i grupeve të punës për reforma gjyqësore dhe ligjore, ka punuar në projekte për masa të veçanta hetimore, paraburgim dhe procedurë penale.
Nga karriera akademike, Saveski është ligjërues në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, tutor dhe trajnues kombëtar në programin HELP të Këshillit të Evropës, si dhe trajnues për të drejtat e njeriut dhe drejtësinë penale.
Ai është autor dhe bashkëautor i punimeve për masa të veçanta hetimore, lirinë e shprehjes, shpifje dhe ofendim, konfiskimin e pasurisë, të drejtën e privatësisë, si dhe udhëzues dhe publikime të tjera profesionale.
Flet gjuhën maqedonase, angleze, gjermane, serbe dhe ka njohuri bazë të gjuhës shqipe.
Foto: printskrin