• четврток, 19 март 2026

Kuvendi duhet të zgjedhë anëtarin e Këshillit gjyqësor

Kuvendi duhet të zgjedhë anëtarin e Këshillit gjyqësor

Shkup, 19 mars 2026 (MIA) - Kuvendi sot do të mbajë seancën e 94-të, ku në rend dite janë tre pika - Propozimi për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Propozimi për Ligjin për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për sigurimin pensional dhe invalidor, në procedurë të shkurtuar dhe Propozimi për Ligjin për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për përcaktimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për zbatimin e Projektit për ndërtimin e Korridorit infrastrukturor 8 (segmenti rrugor: Tetovë - Gostivar - Bukojçan dhe Projekti i autostradës Trebenishtë - Strugë - Qafë Thanë) dhe Korridorit 10d (segmenti i autostradës Prilep - Manastir) në Republikën e Maqedonisë së Veriut në procedurë të shkurtuar. 

Komisioni parlamentar për zgjedhje dhe emërime ka përcaktuar propozim- listë prej dy kandidatësh për zgjedhje të anëtarit të Këshillit gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilin e zgjedh Kuvendi - Sejfula Osmani, doktor i shkencave juridike nga Gradeci, Vrapçisht dhe Arbër Isaku, jurist i diplomuar nga Tetova.

Propozim- ligji për ndryshimet në Ligjin për sigurimin pensional dhe invalidor duhet të mundësojë rritjen e pensioneve në përputhje me politikat e planifikuara të Qeverisë në procedurë të shkurtuar.

Nevojën për miratimin me procedurë të shkurtuar të Propozim-ligjit për ndryshimin e Ligjit për përcaktimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për implementimin e Projektit për ndërtimin e Korridorit 8 dhe Korridorit 10 d e arsyetoi dje zëvendëskryeministri dhe ministri i transportit, Aleksandar Nikolloski, i cili theksoi se bëhet fjalë për një ndryshim teknik vetëm të një neni.

"Duke pasur parasysh se NP për Rrugë Shtetërore ka një buxhet relativisht solid nga burime dhe mjete vetanake, konsiderojmë se për shkak të madhësisë dhe rëndësisë së projektit është mirë që edhe ajo të përfshihet si bartëse dhe investuese në projekt", sqaroi Nikolloski.

Foto: arkivi i MIA-s

 

Остани поврзан