• недела, 01 февруари 2026

Kur mjekësia dhuron dorën e humanizmit: Me mbështetje ndërkombëtare fillon sezoni i 8-të i fushatës "Të njohim sëmundjet e rralla"

Kur mjekësia dhuron dorën e humanizmit: Me mbështetje ndërkombëtare fillon sezoni i 8-të i fushatës

Shkup, 1 shkurt 2026 (MIA) - Me një mesazh të fortë vizual nga ekspertë mjekësorë nga e gjithë bota, sot zyrtarisht hapet sezoni i tetë i fushatës kombëtare "Të njohim sëmundjet e rralla 2026".

Sipas organizatorëve të fushatës, ekzistojnë diagnoza të cilat janë të rralla, por shpresa dhe solidariteti duhet të jenë gjithnjë e më të pranishme.

"Këtë vit fushata fillon me një shtytje të fuqishme ndërkombëtare. Në videon zyrtare, mjekë nga vende të ndryshme, me duart e ngjyrosura në ngjyrat simbolike të sëmundjeve të rralla, dërgojnë mesazh se shkenca dhe njerëzimi nuk njohin kufij. Ato duar të ngjyrosura janë premtim se pacientët tanë nuk janë vetëm në luftën e tyre të heshtur", qëndron në kumtesë.

Fushata, e udhëhequr nga Shoqata "Është e rrallë të jesh i rrallë", në bashkëpunim me "Jeta me sfida", këtë vit e ndriçon rrugën e pacientëve - në kuptimin e mirëfilltë dhe figurativ. Njëherit më 1 shkurt, monumentet në mbarë shtetin do të ngjyrosen në ngjyrat e të rrallave dhe do të shkëlqejnë gjatë gjithë muajit, duke simbolizuar zgjuarsinë e shoqërisë ndaj nevojave të këtyre qytetarëve.

"Sezoni i tetë është dëshmi se qëndrueshmëria është më e fortë se çdo sfidë. Duart e ngjyrosura të mjekëve në video janë simbol i pranimit dhe mirëkuptimit, Qëllimi ynë është që njohuria të kapërcejë frikën, dhe arsimi të hapë dyert për terapi më të mirë dhe një jetë dinjitoze për çdo individ me një diagnozë të rrallë", tha Gordana Loleska, kryetare e "Është e rrallë të jesh i rrallë".

Ashtu si në vitet e kaluara, fushata vazhdon me veprimtarinë e saj profesionale edukative. Do të ofrojë ekspertizë profesionale me tekste të reja dhe video për sëmundje të rralla, të përgatitura në bashkëpunim me specialistë të shquar nga Qendra Klinike Universitare "Nëna Terezë" dhe spitalet rajonale. Të gjitha materialet do të jenë të disponueshme në gjuhën maqedonase dhe shqipe, me qëllim që informatat të arrijnë te çdo familje. Njëherit, shkurti do të jetë muaji i ndërgjegjësimit dhe gjatë gjithë muajit do të publikohen përmbajtje që i bëjnë të dukshme diagnozat e padukshme për institucionet dhe opinionin, njoftojnë organizatorët. sa/

Foto: Shoqata Është e rrallë të jesh i rrallë 

 

Остани поврзан