• среда, 14 јануари 2026

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka konvokuar mbledhjen e dytë të Këshillit të Përgjithshëm

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka konvokuar mbledhjen e dytë të Këshillit të Përgjithshëm

Shkup, 13 janar 2026

Bashkimi Demokratik për Integrim njofton opinionin publik se sot, Kryetari i BDI-së,  Ali Ahmeti, ka konvokuar mbledhjen e dytë të Këshillit të Përgjithshëm.

Në këtë mbledhje u diskutua gjerësisht mbi zhvillimet aktuale politike në vend, raportet dhe marrëdhëniet me partitë e tjera politike, si dhe mbi takimin e paralajmëruar të liderëve politikë.

Këshilli i Përgjithshëm, me unanimitet të plotë, vendosi që Kryetari Ali Ahmeti të marrë pjesë në takimin e liderëve, duke dëshmuar edhe një herë se Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet një parti politike serioze, e përgjegjshme dhe shtetformuese, e cila kultivon vazhdimisht dialogun politik dhe angazhohet për ndërtimin e konsensusit rreth çështjeve thelbësore politike dhe ekonomike të vendit.

Në kuadër të kompetencave të tij statutore, Kryetari Ahmeti do të ketë në ekskluzivitetin e tij hapjen dhe trajtimin e temave që janë jetike dhe strategjike për vendin, që kanë të bëjnë me perspektivën evropiane, stabilitetin politik dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.Njëkohësisht, Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim u bën thirrje të gjitha partive politike në vend që janë të përafërta me vizionin e BDI-së, si dhe kapaciteteve intelektuale, shoqërore dhe profesionale, që t’i bashkëngjiten Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të bëhen pjesë e formacionit tonë politik.

BDI mbetet e hapur për inkorporimin dhe absorbimin e gjithë potencialit intelektual dhe politik në vend, me qëllim avancimin e politikave dhe vizionit që janë në interes të shtetit dhe të të gjithë qytetarëve pa dallim.

Prandaj, kjo thirrje u drejtohet të gjitha subjekteve politike, asociacioneve shoqërore, intelektuale dhe profesionale, që të bëhen pjesë e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe e vizionit tonë të përbashkët për një shtet stabil, demokratik dhe të zhvilluar.

BDI

_________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

Foto: BDI

Остани поврзан