Kroçerja e goditur nga epidemia e hantavirus ka mbërritur në Ishullin Tenerife
- Kroçerja që ndodhet në qendër të epidemisë së hantavirus ka mbërritur pranë Ishullit Tenerife, prej nga pritet të zbarkohen 147 pasagjerë, si pjesë e një operacioni ndërkombëtar të organizuar me kujdes për kthimin e tyre në vendet e origjinës.
Madrid, 10 maj 2026 (MIA) – Kroçerja që ndodhet në qendër të epidemisë së hantavirus ka mbërritur pranë Ishullit Tenerife, prej nga pritet të zbarkohen 147 pasagjerë, si pjesë e një operacioni ndërkombëtar të organizuar me kujdes për kthimin e tyre në vendet e origjinës.
Anija "Hondius" do të ankorohet në portin Granadilla në Ishujt Kanarie, e më pas do të vazhdojë drejt Holandës.
Që kur anija u largua nga Argjentina muajin e kaluar, tre raste vdekjeje janë të lidhura me hantavirusin.
Pasagjerët, nga të cilët asnjëri nuk ka shfaqur simptoma të infektimit me hantavirus, do të testohen në anija nga autoritetet spanjolle para se të transportohen me varka të vogla drejt ishullit.
Më pas, autobusë të mbyllur do t’i transportojnë pasagjerët drejt aeroportit kryesor, prej nga do të nisen me fluturime speciale drejt destinacioneve të tyre përfundimtare.
Të gjithë pasagjerët e kroçerës luksoze "Hondius" konsiderohen si kontakte me rrezik të lartë, si masë parandaluese, njoftoi mbrëmë agjencia shëndetësore e Bashkimit Evropian.
Autoritetet spanjolle njoftuan se evakuimi pritet të fillojë ndërmjet orës 7:30 dhe 8:30, sipas kohës lokale.
Të parët do të zbarkohen qytetarët spanjollë, ndërsa më pas pasagjerët e kombësive të tjera, të ndarë në grupe.
Tridhjetë anëtarë të ekuipazhit do të mbeten në anije dhe do të lundrojnë drejt Holandës, ku anija do të dezinfektohet.
Anija Hondius u nis nga Kepi i Gjelbër drejt Spanjës të mërkurën, pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Bashkimi Evropian kërkuan evakuimin e pasagjerëve pas zbulimit të epidemisë së hantavirusit.
Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adanom Gebrejesus, mbërriti mbrëmë në Ishullin Tenerife, së bashku me ministrat e Punëve të Brendshme dhe të Shëndetësisë së Spanjës dhe ministrin e Politikës Territoriale, për të koordinuar evakuimin e anijes.
OBSH kumtoi se tetë persona janë sëmurë, përfshirë tre që kanë ndërruar jetë – një çift holandez dhe një shtetas gjerman.
Te gjashtë persona është konfirmuar infeksioni me Hantavirus, ndërsa edhe dy raste të tjera janë të dyshuara, kumtoi OBSH. ls/
Foto: EPA