• петок, 21 февруари 2025

Krerët shtetërorë urojnë 17 vjetorin e pavarësisë së Kosovës

Krerët shtetërorë urojnë 17 vjetorin e pavarësisë së Kosovës

Prishtinë, 17 shkurt 2025 (MIA)- Krerët shtetërorë në Kosovë kanë kujtuar sot sakrificën shekullore të popullit shqiptar për liri e pavarësi. Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti morën pjesë në ngritjen solemne të flamurit në 17-vjetorin e pavarësisë. Osmani dhe Kurti bashkë me ministra, madje kanë bërë homazhe në kompleksin memorial "Adem Jashari" në Prekaz.

Osmani tha se “nuk ka asgjë që mund të ndalë Kosovën e lirë dhe sovrane”.

“Një falënderim të përhershëm për të gjithë ata që sakrifikuan dhe dhanë gjithçka në mënyrë që sot ne së bashku ta festojmë këtë ditë të shenjtë e historike, duke filluar nga arkitekti i pavarësisë, presidenti historik dhe komandanti legjendar Adem Jashari që udhëhoqi UÇK-në e deri te secili qytetar i republikës sonë që sakrifikoi me mund e me gjak në mënyrë që sot të  gëzohet kjo ditë. Do të ecim përpara sepse nuk ka asgjë që do të mund ta ndalë republikën tonë të lirë, të pavarur, sovrane dhe të përjetshme, urime”, tha Osmani, njofton Kosovapress.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se ekonomia e Kosovës “është trefish më e madhe se sa para 17 vjetëve por në të njëjtën kohë jemi shembull për siguri”.

“Dimër i ftohtë por zemrat e ngrohta teksa urojmë njëri tjetrin për 17 vjetorin e 17 shkurtit, shpalljes së pavarësisë së Kosovës si shtet sovran demokratik, me integritet territorial, me progres social, me avancim demokratik dhe me rritje shembullore ekonomike. Ekonomia e Kosovës është trefish më e madhe se sa para 17 vjetëve, por në të njëjtën kohë edhe jemi shembull për siguri, jo vetëm në rajonin e Ballkanit, kur kemi parasysh të drejtat e qytetarëve, mirëqenien e tyre, entuziazmin popullor dhe sukseset e republikës sonë, që janë suksese të popullit, të institucioneve por edhe të partnerëve”, tha Kurti.

Foto: Kosovapress

Тагови

Остани поврзан