Kremlini: E dënojmë vrasjen e liderëve iranianë, po përhapen lajme të rreme për Rusinë dhe Iranin
- Kremlini sot e dënoi "vrasjen dhe eliminimin" e liderëve iranianë në sulmet ajrore të ShBA-së dhe Izraelit, një ditë pasi agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Fars konfirmoi se Ali Larixhani, këshilltar i liderit të ndjerë suprem iranian, Ajatollah Ali Hamnei, është vrarë në Teheran.
Moskë, 18 mars 2026 (MIA) - Kremlini sot e dënoi "vrasjen dhe eliminimin" e liderëve iranianë në sulmet ajrore të ShBA-së dhe Izraelit, një ditë pasi agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Fars konfirmoi se Ali Larixhani, këshilltar i liderit të ndjerë suprem iranian, Ajatollah Ali Hamnei, është vrarë në Teheran.
"Pa mëdyshje i dënojmë të gjitha veprimet që synojnë dëmtimin e shëndetit ose madje vrasjen ose eliminimin e anëtarëve të udhëheqjes së Iranit sovran dhe të pavarur, si dhe udhëheqjes së vendeve të tjera. I dënojmë veprime të tilla", deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, para gazetarëve kur u pyet për vdekjen e Larixhanit.
Rusia, e cila ndërtoi dhe ndihmon në funksionimin e centralit të vetëm bërthamor në Iran, ka kritikuar ashpër sulmet ajrore të ShBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, partnerit të saj të ngushtë. Moska ka bërë thirrje për armëpushim dhe negociata.
"Uollstrit xhurnal" duke cituar burime të informuara, dje raportoi se Rusia po zgjeron shkëmbimin e inteligjencës dhe bashkëpunimin ushtarak me Teheranin, duke siguruar regjistrime satelitore dhe teknologji të përmirësuar të dronëve për të ndihmuar Iranin të shënjestrojë forcat amerikane në rajon.
Peskovi sugjeroi që lajmi ishte i rremë. "Siç e dini, tani qarkullojnë shumë raporte të ndryshme rreth kësaj lufte. Shumica dërrmuese nuk janë gjë tjetër veçse dezinformata, kështu që nuk e konsiderojmë të nevojshme të komentojmë për secilën prej tyre", tha Peskovi.
"Megjithatë, përfaqësuesit zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë komentuar mbi këtë çështje, duke thënë se nuk kanë kurrfarë informacionesh për këtë temë", shtoi zëdhënësi i Kremlinit.
Foto: EPA