• петок, 04 октомври 2024

Kostadinov: Strumica në prag të katastrofës ekologjike

Kostadinov: Strumica në prag të katastrofës ekologjike

Strumicë, 3 tetor 2024 (MIA) - Strumica ndodhet para një katastrofe ekologjike nëse në një kohë të shkurtër nuk zgjidhet problemi me ujin e pijshëm, theksoi kryetari i Komunës Kostadin Kostadinov në seancën e sotme të Këshillit të Komunës ku u diskutua për problemet me furnizimin me ujë të pijshëm për qytetarët i cili prej gjashtë ditësh është ndalur për shkak të sasisë së madhe të manganit.

Sipas tij, burimi i ndotjes dhe i pamundësisë për të pastruar ujin është në digën "Turia", prej nga vjen uji i papërpunuar me një prani të lartë të manganit. Ai edhe njëherë u bëri thirrje të gjithë kompetentëve– Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, ShA “Menaxhimi i Ujërave” dhe Ministrisë së Ekologjisë dhe Planifikimit Hapësinor të ulen dhe të bisedojnë për zgjidhjen e këtij problemi.

"Mendoj se nuk jemi mjaftueshëm të vetëdijshëm për katastrofën që na kanoset në Strumicë. Pas të gjitha kontrolleve të bëra në kuadër të stacionit të filtrimit, ujësjellësi primar, me të gjitha proceset e filtrimit të ujit, oksidimit dhe ozonimit, rrjetit dytësor të ujësjellësit, klorifikimit - nuk ka asnjë problem apo defekt. Laboratori i NP “Higjiena komunale” dje  tregoi se ne marrim ujë teknik nga diga “Turia” me nivel mangani 1.5 miligram në litër. Që nga viti 1974, kur ka ekzistuar stacioni i filtrave, niveli më i lartë i manganit në ujë ka qenë 0.25. Me një prani kaq të lartë të manganit në ujë, edhe nëse bëjmë investimet më të shtrenjta, nuk do të arrijmë ta çojmë në nivelin e ujit të pijshëm", nënvizoi Kostandinov. 

Në pyetjen e këshilltarëve për zgjidhjet e mundshme u përgjigj drejtori teknik i "Higjienës komunale", Stojan Eftimov i cili theksoi se problemi nuk është në ndërmarrjen komunale dhe në procesin e trajtimit të ujit.

"Problemi parësor është uji i papërpunuar nga diga "Turia". Tani për momentin, pas gjithë përpjekjeve tona, ende nuk janë bërë analizat e ujit nga ky akumulim. Tani është e nevojshme të bëhet në thellësi më të mëdha dhe nga më shumë vende, për të konstatuar se cila është gjendja e akumulimit. Aty nuk ka vetëm ujë, ka edhe gjeologji. Janë çështje profesionale që nuk i zgjidhim dot, por duhet një analizë serioze për të arritur në gjendjen e vërtetë të digës “Turia”. Vetëm atëherë duhet bërë një analizë eksperte dhe ndoshta prej saj do të zbulohet arsyeja pse ka ndodhur kjo situatë", theksoi Eftinov. 

Ndryshe, në seancën e sotme është marrë vendim që qytetarët e Strumicës për një metër kub të paguajnë vetëm ujin teknik në vlerë prej 7,85 denarë, në vend të çmimit të mëparshëm prej 33,9 denarë dhe do të jetë i vlefshëm deri në sigurimin e ardhshëm të ujit të pijshëm. qa/

Foto: MIA

 

 

 

vranec_world_day_2024_300x250

Остани поврзан