• вторник, 21 април 2026

Kosova para zgjedhjeve të reja të parakohshme: Dështuan negociatat mes Kurtit dhe Abdixhikut

Kosova para zgjedhjeve të reja të parakohshme: Dështuan negociatat mes Kurtit dhe Abdixhikut

Prishtinë, 20 prill 2026 (MIA) - Kosova po lëviz drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, deklaroi sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit të pasuksesshëm me liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku. Takimi ishte pjesë e përpjekjeve për arritjen e marrëveshjes për zgjedhje të presidentit të ri të shtetit, pasi mandati i Vjosa Osmanit skadoi në fillim të prillit.

Kurti theksoi se bisedat kanë qenë të pasuksesshme, pasi opozita nuk ka pranuar asnjë nga ofertat e tij për tejkalimin e krizës.

"LDK-së i ofruam qeverisje të përbashkët me Vetëvendosjen dhe partnerët tanë, me ç'rast ata do ta fitonin postin zëvendëskryeministër, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe edhe tre ministri shtesë. Desha që Abdixhiku të bëhet zëvendës i imi, për të hapur një kapitull të ri, por oferta u refuzua", deklaroi Kurti.

Sipas kryeministrit, vendi tani po ballafaqohet me zgjedhje "të panevojshme", të cilat do të ishin të tretat në një vit e gjysëm. Ai paralajmëroi se procesi i ri zgjedhor do ta kushtojë buxhetin shtetëror të paktën 10 milionë euro, e me siguri nuk do të sjell zgjidhje, pasi përsëri mund të mungojë kuorum prej 80 deputetëve për zgjedhje të shefit të shtetit.

Me qëllim për ta zhbllokuar procesin, Kurti ka ofruar edhe rotacion të brendshëm në Kuvend - kryetarja aktuale e Dhomës ligjvënëse, Albulena Xashiu të tërhiqet nga vendi i nënkryetares, ndërsa funksioni kryetar i Kuvendit t'i takojë LDK-së, por edhe ky propozim nuk u pranua.

"Nuk mund të formojmë qeveri kundër vullnetit të popullit. Ne jemi të vetmit që propozuam emra dhe zgjidhje konkrete, ndërsa tek opozita ekziston një lloj bojkoti", shtoi kryeministri i Kosovës.

Në përputhje me vendimin e Gjykatës kushtetuese, Kuvendi i Kosovës ka afat prej 34 ditëve, duke filluar nga 25 marsi, për ta përfunduar procedurën për zgjedhjen e presidentit. Nëse presidenti i ri i shtetit nuk zgjedhet deri më 28 prill, vendi automatikisht do të mbajë zgjedhje të reja. Ndërkohë, kompetencat e presidentit ushtrohen nga kryetarja e Kuvendit, Haxhiu.

Kurti informoi se ka kontaktuar edhe kreun e partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza. Ai shpjegoi se PDK-ja ka kërkuar "marrëveshje blanko politike" për kandidatët e tyre, por theksoi se oferta e qeverisjes së përbashkët ishte dedikuar ekskluzivisht për LDK-në.

Në zgjedhjet e fundit të mbajtura më 28 dhjetor 2025, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) fitoi 57 vende, PDK-ja 22, LDK-ja 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) gjashtë vende, ndërsa 20 vendet e mbetura janë të rezervuara për komunitetet pakicë. Për të zgjedhur president në dy raundet e para, nevojitet shumicë prej dy të tretave (80 vota), që e bën procesin tërësisht të varur nga kompromisi midis partive. bsh/

Foto: Arkiv

Остани поврзан