• среда, 15 април 2026

Konferenca rajonale "Ura drejt së ardhmes: Internacionalizimi i arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore"

Konferenca rajonale

Shkup, 26 mars 2026 (MIA) - Ministra, udhëheqës të universiteteve, akademikë, hulumtues, politikbërës, përfaqësues të industrisë, punëdhënës, ekspertë dhe studentë do të jenë pjesë e Konferencës rajonale "Ura drejt së ardhmes: Internacionalizimi i arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore", që do të mbahet sot dhe nesër në Shkup. 

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, si mbështetëse e ngjarjes, informon se konferenca është organizuar nga Këshilli Rajonal për Bashkëpunim (KRB) dhe Banka Botërore, dhe përfaqëson një dialog në nivel të lartë.  

"Konferenca është konceptuar si platformë për lidhjen e njerëzve, ideve dhe insititucioneve që do të kontribuojnë në formësimin e fazës tjetër të reformës së arsimit të lartë në rajon. Pjesëmarrësit do të diskutojnë për konkurrueshmërinë e universiteteve dhe përputhshmërinë e tyre me standarde evropiane dhe globale, inovacionet dhe aftësitë digjitale, veçanërisht në fushat STEM, politikat për lëvizshmërinë dhe krijimin e kushteve që të rinjtë mësojnë, hulumtojnë dhe të punojnë në vende të ndryshme, ndërsa njohuritë e fituara të kthehen në rajon, si dhe për forcimin e bashkëpunimit me qëllim ndarjen e praktikave dhe përvojave më të mira", thuhet në njoftimin e MASH-it. 

Pavarësisht dallimeve historike dhe institucionale, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, siç shtojnë, ndajnë sfida, vlera dhe aspirata të përbashkëta. 

"Përmes dialogut dhe shkëmbimit të ideve, rajoni dëshiron të tregojë se nuk është vetëm një pjesëmarrës pasiv në proceset evropiane, por edhe një partner i barabartë që me njohuri, talente dhe inovacione mund ta pasurojë Evropën", theksojnë nga MASH-i. qa/

Foto: MIA

 

Остани поврзан