• вторник, 15 септември 2026

Klekovski: Situata me Ethet e Nilit Perëndimor po qetësohet, në Klinikën për sëmundje infektive janë hospitalizuar vetëm gjashtë persona

Klekovski: Situata me Ethet e Nilit Perëndimor po qetësohet, në Klinikën për sëmundje infektive janë hospitalizuar vetëm gjashtë persona

Shkup, 10 shtator 2026 (MIA) - Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski thotë se epidemia e Etheve të Nilit Perëndimor po qetësohet, për çka flasin të dhënat se gjatë dy javëve të fundit ka nga dy raste të reja, ndërsa edhe në Klinikën për sëmundje infektive në këtë moment janë hospitalizuar gjashtë pacientë, prej të cilëve dy janë në gjendje më të rëndë.

"Vlerësoj se epidemia po qetësohet, pasi kemi pasur dy raste të reja në dy javët e fundit. Pra, këtë javë, pas publikimit të raportit nga Instituti për shëndet publik, të hënën do të kemi dy raste të dyshuara të reja. Se situata po qetësohet flet edhe fakti se në këtë moment në Klinikën për sëmundje infektive kemi vetëm gjashtë persona të hospitalizuar", deklaroi Klekovski në lidhje me raportin e ISHP-së për periudhën deri më 8 shtator, ku thuhet se një rast është regjistruar edhe në Sveti Nikollë.

Qetësimi i situatës, sipas Klekovskit, nuk lidhet me uljen e temperaturave, sepse rastet e reja janë infektuar tre deri 14 ditë më parë.

"Mendoj se veprimi sipas indikacioneve ka ndikuar dhe është arritur ajo që prisnim. Megjithatë, nuk ka matës të saktë në këtë epidemi. Kemi gjetur tre korba të ngordhur me virusin në komuna ku nuk ka pasur raste të regjistruara të Etheve të Nilit Perëndimor (dy në komunën e Karposhit dhe një në Resnjë)", tha Klekovski.

Gjithsej gjashtë pacientë janë hospitalizuar në Klinikën për sëmundje infektive, nga të cilët vetëm dy kanë pamje më të rëndë klinike. Këta janë pacientë që janë hospitalizuar një periudhë më të gjatë.

"Ata kohë të gjatë kanë qenë në Klinikë, janë të intubuar dhe janë në mbështetje respiratore. Katër të tjerët janë në gjendje të qëndrueshme dhe janë në Repartin e neuroinfeksioneve. Dy konsiderohen si të dyshuar sepse janë më të rinj, ndërsa tek dy të tjerët nga fundi është procesi i shërimit dhe së shpejti do të dalin nga spitali", tha drejtori i Klinikës për sëmundje infektive, Fadil Cana. bsh/

Foto: MIA arkiv