• четврток, 19 март 2026

Kievi dhe qytete të tjera ukrainase të goditura nga sulmet ruse gjatë natës, mbi 20 të plagosur

Kievi dhe qytete të tjera ukrainase të goditura nga sulmet ruse gjatë natës, mbi 20 të plagosur

Kiev, 26 shkurt 2026 (MIA) - Disa qytete ukrainase, përfshirë kryeqytetin Kiev, u goditën nga sulmet ruse gjatë natës, vetëm disa orë para se të fillonin bisedimet e reja SHBA-Ukrainë në Zvicër për t'i dhënë fund luftës, me ç'rast mbi 20 persona u plagosën.

Disa shpërthime u dëgjuan në qendër të Kievit gjatë natës. Sipas kreut të administratës ushtarake lokale, Timur Tkaçenko, kryeqyteti u sulmua me dronë dhe raketa balistike. Rreth 20 persona u plagosën në jug dhe lindje të vendit. Ende nuk dihet saktësisht se sa dronë dhe raketa u përdorën.

Tre zona të kryeqytetit u prekën, tha kryebashkiaku i Kievit Vitalij Kliçko në Telegram. Rrënojat dëmtuan një ndërtesë apartamentesh nëntëkatëshe, por nuk pati të lënduar, sipas të njëjtit burim.

Disa qytete të tjera të mëdha u sulmuan gjatë natës, aq sa Polonia fqinje mobilizoi forcat e saj ajrore për të siguruar hapësirën e saj ajrore, njoftuan Forcat e Armatosura Polake për X. Qyteti verilindor Harkov u godit nga dronë dhe raketa, tha kryebashkiaku i tij Igor Terehov, duke përmendur shpërthimet.

Gjithsej 14 persona u plagosën në qytet, i dyti më i madhi në vend para fillimit të pushtimit rus në shkurt të vitit 2022, dhe në një fshat fqinj, përfshirë një fëmijë shtatëvjeçar, sipas Oleg Sinegubov, kryeshef i administratës ushtarake lokale.

Të paktën shtatë persona u plagosën në qytetin Zaporozhje, sipas Ivan Fedorov, kreut të administratës rajonale. Ai tha se më shumë se 500 shtëpi mbetën pa ngrohje dhe 19 ndërtesa u dëmtuan.

Dy persona u plagosën në sulmin ndaj Krivi Rih, sipas kreut të administratës rajonale të Dnjepropetrovskit, Oleksandr Ganxha. sa/

foto: EPA arkivi

Остани поврзан