Kievi dhe qytete të tjera ukrainase të goditura nga sulmet ruse gjatë natës, mbi 20 të plagosur
- Disa qytete ukrainase, përfshirë kryeqytetin Kiev, u goditën nga sulmet ruse gjatë natës, vetëm disa orë para se të fillonin bisedimet e reja SHBA-Ukrainë në Zvicër për t'i dhënë fund luftës, me ç'rast mbi 20 persona u plagosën.
Kiev, 26 shkurt 2026 (MIA) - Disa qytete ukrainase, përfshirë kryeqytetin Kiev, u goditën nga sulmet ruse gjatë natës, vetëm disa orë para se të fillonin bisedimet e reja SHBA-Ukrainë në Zvicër për t'i dhënë fund luftës, me ç'rast mbi 20 persona u plagosën.
Disa shpërthime u dëgjuan në qendër të Kievit gjatë natës. Sipas kreut të administratës ushtarake lokale, Timur Tkaçenko, kryeqyteti u sulmua me dronë dhe raketa balistike. Rreth 20 persona u plagosën në jug dhe lindje të vendit. Ende nuk dihet saktësisht se sa dronë dhe raketa u përdorën.
Tre zona të kryeqytetit u prekën, tha kryebashkiaku i Kievit Vitalij Kliçko në Telegram. Rrënojat dëmtuan një ndërtesë apartamentesh nëntëkatëshe, por nuk pati të lënduar, sipas të njëjtit burim.
Disa qytete të tjera të mëdha u sulmuan gjatë natës, aq sa Polonia fqinje mobilizoi forcat e saj ajrore për të siguruar hapësirën e saj ajrore, njoftuan Forcat e Armatosura Polake për X. Qyteti verilindor Harkov u godit nga dronë dhe raketa, tha kryebashkiaku i tij Igor Terehov, duke përmendur shpërthimet.
Gjithsej 14 persona u plagosën në qytet, i dyti më i madhi në vend para fillimit të pushtimit rus në shkurt të vitit 2022, dhe në një fshat fqinj, përfshirë një fëmijë shtatëvjeçar, sipas Oleg Sinegubov, kryeshef i administratës ushtarake lokale.
Të paktën shtatë persona u plagosën në qytetin Zaporozhje, sipas Ivan Fedorov, kreut të administratës rajonale. Ai tha se më shumë se 500 shtëpi mbetën pa ngrohje dhe 19 ndërtesa u dëmtuan.
Dy persona u plagosën në sulmin ndaj Krivi Rih, sipas kreut të administratës rajonale të Dnjepropetrovskit, Oleksandr Ganxha. sa/
foto: EPA arkivi