KE-ja hedh poshtë kritikat e Kinës për ligjin industrial, thotë se akti është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, bazuar në reciprocitet
- Komisioni Evropian (KE) sot hodhi poshtë kritikat e Republikës Popullore të Kinës se ligji "Prodhuar në Evropë" diskriminon kompanitë e saj, duke vlerësuar se është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke vënë në dukje se masa bazohet në parimin e reciprocitetit.
Bruksel, 27 prill 2026 (MIA) - Komisioni Evropian (KE) sot hodhi poshtë kritikat e Republikës Popullore të Kinës se ligji "Prodhuar në Evropë" diskriminon kompanitë e saj, duke vlerësuar se është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke vënë në dukje se masa bazohet në parimin e reciprocitetit.
Siç raporton Euraktiv, një zëdhënës i KE theksoi se Bashkimi Evropian është një nga tregjet më të hapura në botë dhe pret hapje të ndërsjellë. Një zëdhënës tjetër i Komisionit deklaroi se propozimet e BE-së janë "të kalibruar me kujdes" me qëllim arritjen e qëllimeve ekonomike dhe më të gjera për qytetarët dhe ekonominë, duke theksuar se Brukseli po ndërmerr të gjitha hapat për ta sjellë ligjin në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë. Ai shtoi se BE është gati për dialog me partnerët globalë dhe një shkëmbim pikëpamjesh mbi politikat e saj.
Ligji, i quajtur formalisht Akti i Përshpejtimit Industrial (IAA), të cilin Komisioni Evropian e prezantoi në mars, kufizon qasjen e kompanive jashtë BE-së në subvencione dhe tenderë publikë në një sërë sektorësh industrialë dhe të teknologjisë së gjelbër të dominuar nga firmat kineze.
Reagimi i Brukselit erdhi pasi Ministria e Tregtisë e Kinës më herët sot dënoi IAA-në, duke pretenduar se ligji shkel rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe diskriminon kompanitë kineze.
Foto: Arkivi i MIA-s