Kazakistani inicon formimin e Organizatës Ndërkombëtare për Ujë në kuadër të KB-së
- Nevoja për krijimin e një arkitekture më të fortë dhe më efikase globale për menaxhimin e ujërave, si dhe iniciativa për formimin e një Organizate Ndërkombëtare për Ujë në kuadër të Kombeve të Bashkuara, ishin në fokus të konferencës së sotme në kuadër të samitit RES 2026 në Astana.
Astana, 23 prill 2026 (MIA) - Nevoja për krijimin e një arkitekture më të fortë dhe më efikase globale për menaxhimin e ujërave, si dhe iniciativa për formimin e një Organizate Ndërkombëtare për Ujë në kuadër të Kombeve të Bashkuara, ishin në fokus të konferencës së sotme në kuadër të samitit RES 2026 në Astana.
Pjesëmarrësit vlerësuan se sistemi ekzistues për menaxhimin e ujërave brenda KB-së është i fragmentuar, me mandat të dobët institucional dhe koordinim të pamjaftueshëm mes agjencive, gjë që e kufizon efektivitetin e tij në përballjen me sfidat globale.
U theksua se, edhe pavarësisht iniciativës dhe proceseve ndërkombëtare disa dekada të gjata, bota ende nuk ka një kornizë të vetme globale për menaxhimin e ujërave, përveç marrëveshjeve të pjesshme lidhur me të drejtën e njeriut për ujë dhe kushte sanitare.
Në diskutim u theksua se kriza e ujit po thellohet, ku miliarda njerëz ende nuk kanë qasje në ujë të sigurt për pije dhe shërbime bazë sanitare, ndërsa ndryshimet klimatike, ndotja dhe shfrytëzimi i tepruar po e rrezikojnë më tej ciklin e ujit dhe sigurinë globale ushqimore.
Si sfidë kyçe u theksua mungesa e një procesi të fortë ndërqeveritar politk brenda KB-së, i cili do të siguronte politika të koordinuara, investime dhe llogaridhënie në nivel global.
Përfaqësuesit e Kazakistanit e prezantuan iniciativën për krijimin e Organizatës Ndërkombëtare për Ujin si agjenci e KB-së, duke theksuar se procesi është në fazë të hershme dhe do të zhvillohet përmes konsultimeve me shtetet anëtare. Qëllimi i kësaj iniciative është forcimi i qeverisjes globale të ujërave dhe krijimi i një strukture institucionale më funksionale që do t'u përgjigjet sfidave bashkëkohore.
Njëkohësisht u theksua se struktura e re institucionale duhet të shmangë dyfishimin e mekanizmave ekzistues dhe të sigurojë më shumë efikasitet dhe koordinim në kuadër të sistemit të KB-së.
Pjesëmarrësit vlerësuan se konferencat e ardhshme të KB-së për ujin në 2026 dhe 2028 përbëjnë një mundësi kyçe për përparim në këtë drejtim, veçanërisht në kontekstin e përgatitjeve për agjendën zhvillimore pas vitit 2030.
Në konferencë u konkludua se forcimi i qeverisjes globale të ujërave duhet të lidhet me politika konkrete, investime, hulumtime shkencore dhe inovacione, me qëllim sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe përmbushjen e objektivave globale për ujë dhe kushte sanitare. qa/
Foto: MIA