Kavahara për MIA-n: Nëntë kompani globale nga Japonia do të marrin pjesë në seminarin e biznesit më 11 mars, mundësi për nxitje të investimeve japoneze në vend
- Marrëdhëniet dypalëshe mes Maqedonisë së Veriut dhe Japonisë gjatë tre dekadave të fundit kanë shënuar zhvillim të vazhdueshëm, të nxitur nga dialogu politik, ndihma zhvillimore, shkëmbimi kulturor dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik. Edhe pse ekziston përparim i konsiderueshëm në këto marrëdhënie, potenciali për rritjen e tregtisë dhe tërheqjen e investimeve japoneze ende konsiderohet si pamjaftueshëm i shfrytëzuar, veçanërisht për shkak të komunikimit të pamjaftueshëm ndërmjet bashkësive të biznesit. Për mundësitë e bashkëpunimit afarist dhe praninë e kompanive japoneze në tregun maqedonas, në një intervistë për MIA, biseduam me ambasadoren japoneze, Setsuko Kavahara, ambasadorja e katërt e Japonisë në vend.
Shkup, 9 mars 2026 (MIA)
Ana CVETKOVSKA
Marrëdhëniet dypalëshe mes Maqedonisë së Veriut dhe Japonisë gjatë tre dekadave të fundit kanë shënuar zhvillim të vazhdueshëm, të nxitur nga dialogu politik, ndihma zhvillimore, shkëmbimi kulturor dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik. Edhe pse ekziston përparim i konsiderueshëm në këto marrëdhënie, potenciali për rritjen e tregtisë dhe tërheqjen e investimeve japoneze ende konsiderohet si pamjaftueshëm i shfrytëzuar, veçanërisht për shkak të komunikimit të pamjaftueshëm ndërmjet bashkësive të biznesit. Për mundësitë e bashkëpunimit afarist dhe praninë e kompanive japoneze në tregun maqedonas, në një intervistë për MIA, biseduam me ambasadoren japoneze, Setsuko Kavahara, ambasadorja e katërt e Japonisë në vend.
Kavahara paralajmëroi mbajtjen e seminarit të biznesit Japoni – Maqedoni e Veriut, më 11 mars në Shkup, i cili, siç tha ajo, do të jetë një mundësi e çmuar për vendosjen e një bashkëpunimi të ri dhe të ngushtë afarist ndërmjet bashkësive të biznesit të të dy shteteve. Në këtë ngjarje do të marrin pjesë nëntë kompani globale nga Japonia, ndër të cilat edhe Mitsubishi dhe Hitachi.
Ambasadorja japoneze flet edhe për integrimin evropian të Maqedonisë dhe të rajonit, por edhe për tronditjet e reja gjeopolitike, pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.
Ajo theksoi se Japonia mbështet integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut si pjesë të strategjisë më të gjerë për forcimin e një Bashkimi Evropian të qëndrueshëm dhe të fuqishëm.
-Japonia nënshkroi “Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë” me Bashkimin Evropian në vitin 2018, e cila në masë të madhe e përparoi tregtinë dhe investimet. Megjithatë, Japonia nuk e konsideron BE-në vetëm si partner tregtar, por edhe si partner strategjik të besueshëm, mbi bazën e vlerave të përbashkëta si sundimi i ligjit dhe demokracia. Rrjedhimisht, të dyja palët mbajnë një bashkëpunim dhe koordinim jashtëzakonisht të afërt në politikën dhe ekonominë globale, me qëllim të tejkalimit të përbashkët të sfidave globale. Arsyeja pse Japonia e mbështet në mënyrë të vazhdueshme dhe të fuqishme integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, është sepse Japonisë i nevojitet një BE e fortë dhe e qëndrueshme në një botë kaq të turbullt. Pa asnjë dyshim, integrimi i Maqedonisë së Veriut në BE do të paraqesë një dobi të madhe për vendin, për BE-në, si dhe për Japoninë - theksoi ambasadorja.
Në kontekst me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, Kavahara theksoi se ato i ndjekin me vëmendje ngjarjet dhe po ndërmarrin përpjekje diplomatike për të parandaluar përshkallëzimin e situates, në koordinim me vendet e tjera.
-Paqja dhe siguria në Lindjen e Mesme kanë domethënie thelbësore për furnizimin e qëndrueshëm me energji, si dhe për ruajtjen e regjimit global të mospërhapjes së armëve. Mospërhapja e armëve ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe për Japoninë, sepse Koreja e Veriut, fqinji ynë, zhvillon armë bërthamore dhe raketa balistike në kundërshtim me një numër të madh rezolutash të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Duke pasur parasysh bashkëpunimin e Koresë së Veriut me Rusinë në luftën në Ukrainë, është e qartë se nuk mund ta ndajmë gjendjen e sigurisë në Evropë nga ajo në rajonin Indo-Paqësor, theksoi ambasadorja.
Ajo shtoi se, përballë sfidave globale të sigurisë në rritje, duhet të forcohet bashkëpunimi mes vendeve që ndajnë vlerat themelore të përbashkëta, si sundimi i ligjit dhe demokracia.
Në bisedën për MIA-n, ambasadorja na rikujton edhe te ndihma zhvillimore e Japonisë, përmes së cilës në vend janë realizuar projekte të shumta në shëndetësi, arsim dhe mbrojtje të mjedisit jetësor. Ambasadorja komenton gjithashtu prioritetet e mbështetjes japoneze në fusha si turizmi i qëndrueshëm, tranzicioni i gjelbër dhe menaxhimi i rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore.
Në intervistë, Kavahara u rikhtye edhe te çështjet e diplomacisë kulturore, studimit të gjuhës japoneze dhe interesit të publikut maqedonas për kulturën dhe traditën japoneze, si dhe për rolin e lidershipit të grave dhe përfaqësimin e grave në politikë dhe në shoqëri.

Ambasadore, para dy vitesh Japonia dhe Maqedonia e Veriut shënuan 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Si e vlerësoni dinamikën e bashkëpunimit dypalësh gjatë tri dekadave të fundit dhe cilat fusha, sipas jush, mbeten pamjaftueshëm të shfrytëzuara?
-Me kënaqësi mund të them se marrëdhëniet tona kanë përjetuar zhvillim të dukshëm në shumë fusha. Në aspektin e politikës ndërkombëtare, të dy vendet ndajnë vlera themelore dhe koordinohen përmes konsultimeve të herëpashershme politike. Konsultimi i fundit politik ndërmjet sekretares shtetërore Kuzmanovska dhe kolegut japonez u mbajt në 17 Shkurt; çmoj se kjo ishte shumë domethënëse dhe konstruktive. Për më tepër, ndihma jonë për zhvillimin e kapaciteteve përmes Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) jep kontribut të madh për reformat në këtë vend dhe kjo vlerësohet shumë. Më tej, u mbajt një numër i madh ngjarjesh kulturore për të shënuar jubileun e 30 vjetëve të marrëdhënieve diplomatike. Ky përvjetor e rriti ndjeshëm dukshmërinë e Japonisë në vend dhe i forcoi lidhjet dypalëshe. Dëshira ime më e madhe është të përparohen dhe lehtësohen tregtia dhe investimet ndërmjet dy vendeve.
Në vitin 2018 u vendos iniciativa e Japonisë për bashkëpunim me vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk janë anëtare të BE-së. Pavarësisht kësaj, në vend ende nuk ka investime japoneze. Cilët janë faktorët kyç që ndikojnë në vendimet e kompanive japoneze dhe si e vlerësoni interesimin real për tregun maqedonas?
-Në përgjithësi, kompanitë globale e vëzhgojnë me kujdes klimën e biznesit, kushtet për investime dhe stabilitetin politik. Sipas mendimit tim, një nga arsyet për mungesën e investimeve të mëdha nga Japonia është mungesa e komunikimit dhe shkëmbimit ndërmjet dy bashkësive të biznesit. Pa komunikim dhe shkëmbim të rregullt të informacionit, është e vështirë të gjenden partnerë të qëndrueshëm dhe të besueshëm biznesi dhe të identifikohen fushat e mundësive afariste.

Në shënimin e Ditës Kombëtare të Japonisë ju paralajmëruat seminarin e biznesit Japoni – Maqedoni e Veriut. Cilat janë qëllimet e këtij aktiviteti, cilët sektorë do të jenë në fokus dhe a pritni marrëveshje apo partneritete konkrete që mund të rezultojnë me investime?
-Siç sqarova, për të arritur një përparim të vërtetë, jam e bindur se duhet të fillojmë me krijimin e një rrjeti ndërmjet bashkësive të biznesit të të dy vendeve. Në fakt, shumë kompani të mëdha nga Japonia kanë bërë investime të drejtpërdrejta në vendet fqinje, si Serbia dhe Çekia, ku kanë hapur edhe zyrat e tyre. Shumica prej tyre janë përgjegjëse për të gjithë rajonin, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut. Pikërisht për këtë arsye i kemi ftuar të vijnë në Shkup, t’i prezantojnë aktivitetet dhe interesimet e tyre afariste. Kjo do të jetë një mundësi e çmuar për vendosjen e një rrjeti të ri dhe të afërt biznesi. Nëntë kompani globale nga Japonia, si Mitsubishi dhe Hitachi, do të marrin pjesë në këtë aktivitet. Seminari do të mbahet më 11 mars, nga ora 14:00, në Holiday Inn. Nëse jeni të interesuar të merrni pjesë, ju lutem regjistrohuni në contact@sk.mofa.go.jp
Përmes Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) dhe Programit të Granteve për Projekte të Vogla për Sigurinë Njerëzore (GGP), Japonia mbështet nisma të shumta në shëndetësi dhe mjedis jetësor. Cilat do të jenë fushat prioritare të ndihmës zhvillimore japoneze në periudhën e ardhshme dhe a po shqyrtohen sektorë të rinj, si digjitalizimi ose tranzicioni i gjelbër?
-Përmes “Programit të Granteve për Projekte të Vogla dhe Siguri Njerëzore” të Ambasadës, ne vazhdojmë të bashkëpunojmë në shëndetësi, arsim dhe mjedis jetësor. Kemi zbatuar afro 200 projekte në mbarë vendin dhe tani po i kushtojmë vëmendje të veçantë sfidave me zjarret dhe menaxhimin e mbetjeve. Në këtë drejtim, së fundmi janë dhuruar një automjet zjarrfikës dhe një automjet për menaxhimin e mbetjeve. JICA është aktive në fusha të ndryshme dhe mund të veçoj tri projekte të rëndësishme që kanë nisur vitin e kaluar ose do të nisin këtë vit, përkatësisht turizmin e qëndrueshëm, bujqësinë e qëndrueshme dhe ndihmën e shpejtë mjekësore. Besoj se këta sektorë janë shumë të rëndësishëm për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut.

Maqedonia mori Çmimin e Argjendtë në Expo 2025 Osaka Kansai në kategorinë “Pavijone të përbashkëta (Tipi C) – Përmirësimi i jetës”. Sa kontribuojnë ngjarje të tilla globale në forcimin e diplomacisë ekonomike dhe në promovimin e vendit para publikut japonez dhe atij botëror?
-Dua t’i adresoj urimet e mia më të sinqerta ekipit të EXPO-s së Maqedonisë së Veriut për suksesin e madh në prezantimin e kulturës dhe shoqërisë së vendit. Kjo kontribuoi në rritjen e dukshmërisë së Maqedonisë së Veriut si në Japoni, ashtu edhe në botë, pasi afro 30 milionë njerëz e vizituan hapësirën e EXPO-s nga të gjitha anët e botës. Maqedonia e Veriut dërgoi gjithashtu artistë që realizuan shfaqje kulturore, si valle tradicionale dhe opera. Këto paraqitje e mahnitën publikun e shumtë. Shpresoj që këto ngjarje kulturore ta kenë rritur interesin e vizitorëve japonezë dhe të huaj për kulturën dhe historinë e pasur të vendit tuaj.
Japonia ka përvojë shumëvjeçare në përballimin e fatkeqësive natyrore dhe menaxhimin e rreziqeve. Duke pasur parasysh ndryshimet klimatike dhe sfidat në rritje në rajon, a ekziston mundësia për një bashkëpunim më intensiv me Maqedoninë e Veriut në fushën e parandalimit, paralajmërimit të hershëm dhe menaxhimit të katastrofave?
-JICA prej vitesh e ndihmon Qendrën për Menaxhim me Kriza (QMK) në fushën e zvogëlimit të rreziqeve nga katastrofat. Përmes bashkëpunimit me ekspertë nga të dy vendet, u arrit të vendoset një sistem për zbulimin e hershëm dhe parandalimin e zjarreve pyjore, i cili ndahet me vendet fqinje si model i suksesshëm. Siç u theksua, ndryshimet klimatike paraqesin një sfidë të madhe për mbarë botën, ndërsa projekti i ri i JICA-s për bujqësi të qëndrueshme synon pikërisht zbutjen e pasojave negative të ndryshimeve klimatike në bujqësi, përmes zhvillimit të një politike të integruar dhe një strukture përkatëse administrative.

Diplomacia kulturore është një segment i rëndësishëm i pranisë japoneze në vend – nga festivalet filmike dhe punëtoritë e origamit deri te studimi i gjuhës japoneze. Si e vlerësoni interesimin e publikut maqedonas për kulturën japoneze dhe cilat forma të shkëmbimit kulturor kanë potencialin më të madh për thellim të mëtejmë?
-Për mua ishte një befasi e madhe dhe e këndshme që kaq shumë njerëz në këtë vend treguan interes të madh për kulturën japoneze. Të gjitha ngjarjet kulturore të organizuara nga Ambasada jonë priten jashtëzakonisht mirë. Jo vetëm manga apo anime, por edhe muzika tradicionale, kuzhina japoneze, matcha, madje edhe artet marciale si xhudo dhe karateja janë të dashura për shumë qytetarë, të rinj dhe të moshuar.
Këtë vit Ambasada jonë do të prezantojë aspekte unike të kulturës japoneze, siç është Bunraku, teatri tradicional japonez me kukulla, i zhvilluar në shekullin XVII, i cili është regjistruar si trashëgimi kulturore jomateriale e UNESCO-s. Gjithashtu, është planifikuar edhe një ekspozitë e veçantë që do të paraqesë larmishmërinë, peizazhet natyrore dhe arkitekturën e të gjitha prefekturave japoneze.
Kemi identifikuar edhe një kërkesë të madhe për studimin e gjuhës japoneze. Menjëherë pas shpalljes së kursit të ri të japonishtes, vendet u plotësuan përnjëherë. Përmes studimit të gjuhës japoneze mund të kuptohen më mirë kultura, zakonet, shoqëria dhe filozofia. Shpresoj që ata që e studiojnë gjuhën japoneze në Maqedoninë e Veriut të kontribuojnë në avancimin e kontakteve dhe shkëmbimeve ndërmjet popujve tanë.
Japonia vazhdimisht e mbështet integrimin evropian të vendit. Çfarë mesazhi i dërgon Japonia vendit dhe rajonit në përgjithësi lidhur me proceset reformuese?
-Japonia nënshkroi “Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë” me Bashkimin Evropian në vitin 2018, e cila në masë të madhe e përparoi tregtinë dhe investimet. Megjithatë, Japonia nuk e konsideron BE-në vetëm si partner tregtar, por edhe si partner strategjik të besueshëm, mbi bazën e vlerave të përbashkëta si sundimi i ligjit dhe demokracia. Prandaj, të dyja palët mbajnë një bashkëpunim dhe koordinim jashtëzakonisht të afërt në politikën dhe ekonominë globale për tejkalimin e përbashkët të sfidave globale. Arsyeja pse Japonia e mbështet në mënyrë të vazhdueshme dhe të fuqishme integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, është sepse Japonisë i nevojitet një BE e fortë dhe e qëndrueshme në një botë kaq të turbullt. Pa asnjë dyshim, integrimi i Maqedonisë së Veriut në BE do të përfaqësojë një përfitim të madh për Maqedoninë e Veriut, për BE-në, si dhe për Japoninë.

Në kontekst të zhvillimeve më të fundit në Lindjen e Mesme, në relacionin Iran, Izrael, SHBA, arkitektura globale e sigurisë po ndryshon edhe më tej. Japonia po pozicionohet gjithnjë e më aktivisht në çështjet e sigurisë. Si e shihni rolin e Japonisë në raport me sigurinë euroatlantike dhe bashkëpunimin me NATO-n, anëtare e së cilës në sfidat e reja globale është edhe Maqedonia e Veriut?
-Ne i kushtojmë vëmendje të madhe zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme dhe jemi duke bërë përpjekje diplomatike për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, gjithnjë në koordinim me vendet e tjera. Paqja dhe siguria në Lindjen e Mesme janë thelbësore për furnizimin e qëndrueshëm me energji, si dhe për ruajtjen e regjimit global të mospërhapjes së armëve.
Mospërhapja e armëve ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe për Japoninë, sepse Koreja e Veriut, fqinji ynë, zhvillon armë bërthamore dhe raketa balistike në kundërshtim me një numër të madh rezolutash të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Duke pasur parasysh bashkëpunimin e Koresë së Veriut me Rusinë në luftën në Ukrainë, është e qartë se nuk mund ta ndajmë gjendjen e sigurisë në Evropë nga ajo në rajonin Indo-Paqësor.
Përballë sfidave globale të sigurisë në rritje, duhet ta forcojmë bashkëpunimin tonë ndërmjet vendeve me të cilat ndajmë vlerat themelore të përbashkëta, si sundimi i ligjit dhe demokracia. Rëndësia e një bashkëpunimi të tillë të ngushtë u konfirmua me vizitën e z. Rutte, sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, në Japoni vitin e kaluar, si vizita e tij e parë jashtë vendeve anëtare të NATO-s. Zonja Shekerinska, zëvendëssekretare e përgjithshme, e vizitoi Japoninë këtë javë dhe pati takim me ministrin tonë të mbrojtjes më 5 mars. Besoj se partneriteti ynë me NATO-n mund të forcohet edhe më shumë.

Japonia mori kryeministren e parë grua. Çfarë domethënie simbolike dhe praktike ka kjo për shoqërinë japoneze dhe a prisni që kjo të kontribuojë për një përfaqësim më të madh të grave në politikë dhe në pozitat udhëheqëse?
-Kjo ishte një lajm i madh jo vetëm në Japoni, por edhe në botë. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të vendit tonë për promovimin e barazisë gjinore në të gjitha fushat, pjesëmarrja e grave japoneze në politikë ka ngecur disi. Besoj se kryeministrja e parë grua do të kontribuojë në kapërcimin e barrierave të mundshme psikologjike te gratë dhe do t’i inkurajojë ato të marrin përsipër pozita udhëheqëse. Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që gratë të marrin pjesë aktivisht në procesin e vendimmarrjes, pavarësisht nëse do të bëhen politikane apo jo.
Si grua diplomate me një karrierë të pasur, si e ruani ekuilibrin ndërmjet obligimeve profesionale dhe jetës private?
-Të jesh diplomat nuk është vetëm profesion, por mision jetësor. Kjo është shumë më e vështirë nga sa mendohet zakonisht. Ne duhet të jemi vazhdimisht të gatshëm për situata emergjente dhe gjatë karrierës tonë, të jetojmë në vende të ndryshme. Në rastin tim, prej vitesh punoj në vende evropiane, e ndarë nga bashkëshorti dhe vajza ime. I jam mirënjohëse familjes sime për mbështetjen dhe mirëkuptimin e madh dhe u shpreh atyre falënderimin tim. Edhe pse nuk mund të jetojmë së bashku, ekzistojnë shumë mënyra për ta mbështetur njëri-tjetrin dhe për të ruajtur kontakt të mirë. Sipas mendimit tim, komunikimi i mirë është çelësi për zhvillimin e suksesshëm të një karriere profesionale dhe të një jete familjare të lumtur. Me përparimin e teknologjisë informative, komunikimi global është bërë i shpejtë dhe i qasshëm, dhe ne këtë e shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Krahas kësaj, thelbësor është respekti i ndërsjellë për rolet dhe kultivimi i vazhdueshëm i ndjenjës së mirënjohjes.
Foto: Darko Popov