Kallas: Me miqtë nga Ballkani Perëndimor do të diskutojmë rreth asaj se çfarë mund të bëjmë më shume
- Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, para takimit të sotëm të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel deklaroi se ministrat së pari në drek pune do të diskutojnë me "miqtë e Ballkanit Perëndimor" rreth asaj se çfarë mund të bëjnë më shumë.
Bruksel, 11 maj 2026 (MIA) - Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, para takimit të sotëm të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel deklaroi se ministrat së pari në drek pune do të diskutojnë me "miqtë e Ballkanit Perëndimor" rreth asaj se çfarë mund të bëjmë më shumë.
"Së pari, do t'i përshëndesim miqtë tanë të Ballkanit Perëndimor. Ky është një mundësi për të shqyrtuar se çfarë tjetër mund të bëhet. Ata janë të interesuar në bashkëpunimin tonë në luftimin e kërcënimeve hibride me të cilat përballen dhe në këmbim presim reforma prej tyre në mënyrë që të mund të vazhdojmë me zgjerimin", theksoi Kallas.
Ajo shtoi se, sigurisht, do të diskutojnë zgjerimin dhe çfarë tjetër mund të bëjë BE-ja për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor të arrijnë përparim në reforma.
Kallas potencoi se BE pret që vendet e Ballkanit Perëndimor t'i harmonizojnë politikat e tyre të jashtme dhe të sigurisë me ato të Unionit dhe të zbatojnë reformat.
Ndërsa eurokomesarja për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se në BE ka vend për të gjitha vendet nga Ballkani Perëndimor.
"Kam një mesazh të qartë, ka një vend për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në BE. Zgjerimi është një përparësi për BE-në dhe nëse kandidatët tanë kanë rezultate, atëherë edhe ne duhet të japim rezultate", theksoi Kos para fillimit të takimit të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së dhe mëngjesit të punës me ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas saj, BE-ja po jep gjithashtu rezultate të prekshme në aspektin e integrimit gradual të vendeve dhe vuri në dukje se javën e kaluar Serbia iu bashkua Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në sistemin e pagesave SEPA dhe se tani është duke u përgatitur samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor, i cili do të mbahet në Podgoricë më 5 qershor.
"Pres që të gjitha këto vende të qëndrojnë fort në rrugën drejt BE-së", deklaroi Kos.
Është planifikuar që ministrat e BE-së të diskutojnë edhe për Ukrainën, Lindjen e Mesme, për lirinë e lundrimit, për Sirinë dhe do të takohen me shefen e diplomacisë kanadeze, Anita Anand. rq/
Foto: arkivi i MIA-s