• сабота, 14 март 2026

Kallas: Bashkimi Evropian duhet të përshpejtojë procesin e zgjerimit

Kallas: Bashkimi Evropian duhet të përshpejtojë procesin e zgjerimit

Bruksel, 9 mars 2026 (MIA) - BE-ja duhet ta përshpejtojë procesin e pranimit të anëtarëve të rinj dhe ta zgjerojë klubin e saj, i cili aktualisht ka 27 vende, deklaroi sot diplomatja e parë evropiane, Kaja Kallas.

“Zgjerimi duhet të vazhdojë të bazohet në meritë, por në rrethanat aktuale duhet ta përshpejtojmë ritmin”, tha Kallas në konferencën vjetore të diplomatëve të BE-së në Bruksel, duke shtuar se zgjerimi është “një antidot i imperializmit rus dhe një shenjë se projekti më ambicioz multilateral në histori, Bashkimi Evropian, po mbijeton”, shkruan Politiko.
 
 Thirrja e Kaja Kallas për integrim më të shpejtë të vendeve kandidate vjen në një kohë diskutimesh të tensionuara mes Komisionit Evropian, i cili angazhohet për zgjerim të shpejtë, dhe vendeve anëtare që mbështesin një qasje më graduale.

 Në një darkë javën e kaluar, ku mori pjesë edhe shefi i zyrës së kryetares së Komisionit Evropian, Bjern Zajbert, ambasadorët e vendeve anëtare e hodhën poshtë mundësinë e pranimit të anëtarëve të rinj me privilegje të kufizuara.

Kallas mbështet fuqimisht idenë se zgjerimi nuk është vetëm një proces burokratik në të cilin kandidatët plotësojnë kriteret, por edhe një zgjedhje gjeopolitike. 

“Zgjerimi është përshkruar si politika e jashtme më e suksesshme e Unionit, duke zgjeruar fushën e stabilitetit, paqes dhe prosperitetit”, tha Kallas, duke cituar të dhënat e Eurobarometrit që tregojnë mbështetje të gjerë publike për procesin. Megjithatë, shtoi ajo, “varet nga ne të vazhdojmë të shtyjmë përpara historinë e zgjerimit”.

Një diplomat i lartë i BE-së, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se vendet-anëtare do të bënin çdo përpjekje për ta mbajtur procesin e zgjerimit në rrugën e duhur, pavarësisht mosmarrëveshjeve midis Këshillit dhe Komisionit. ls/

Foto: EPA

 

Остани поврзан