Këshilli i prokurorëve publikë dha mendim për kandidatët për prokuror të ri publik shtetëror
- Këshilli i prokurorëve publikë sot dha mendim pozitiv për katër nga pesë kandidatët për prokuror publik shtetëror. Mendim pozitiv morën ushtruesja aktuale e detyrës së prokurores publike shtetërore Anita Topolova-Isajlovska, prokurorja Lençe Ristovska, gjyqtari i Gjykatës Penale, Nenad Savevski dhe prokurorja nga Prokurorja e Shkupit, Lidija Raiçeviq. Për kandidaturën e Vladimir Pançevskit, njëzëri u vendos se ai nuk i plotëson kushtet e parashikuara me ligj lidhur me stazhin e punës.
Shkup, 17 shkurt 2026 (MIA) - Këshilli i prokurorëve publikë sot dha mendim pozitiv për katër nga pesë kandidatët për prokuror publik shtetëror. Mendim pozitiv morën ushtruesja aktuale e detyrës së prokurores publike shtetërore Anita Topolova-Isajlovska, prokurorja Lençe Ristovska, gjyqtari i Gjykatës Penale, Nenad Savevski dhe prokurorja nga Prokurorja e Shkupit, Lidija Raiçeviq. Për kandidaturën e Vladimir Pançevskit, njëzëri u vendos se ai nuk i plotëson kushtet e parashikuara me ligj lidhur me stazhin e punës.
Kryetari i Këshillit, Bashkim Besimi, para mediave theksoi se anëtarët kanë vepruar ekskluzivisht në bazë të kritereve ligjore.
"Ne, në përputhje me ligjin, i shqyrtuam të gjithë kandidatët e paraqitur dhe vlerësuam se i plotësojnë kushtet sipas ligjit, prandaj dhamë mendim pozitiv. Të gjithë kandidatët janë prokurorë publikë, ndërsa njëri është gjyqtar me punë të suksesshme si në Prokurorinë Publike ashtu edhe në gjykata. Nuk mund t’i ndanim si anëtarë, sepse të gjithë kanë nga 25 ose 15 vjet stazh si prokurorë, dhe për këtë arsye dhamë mendim pozitiv", tha Besimi.
Lidhur me vërejtjen se kandidatja Lidia Raiçevi në zgjedhjen e mëparshme nga i njëjti Këshill kishte marrë mendim negativ, Besimi theksoi se ky ishte vendim i përbërjes së mëparshme.
"Ky ishte vendimi i tyre. Tani kemi anëtarë të rinj dhe shqyrtim të ri. Nuk është vendimtar nëse dikush ka pasur ndonjëherë një pozicion udhëheqës. Dikush ndoshta kurrë nuk do të jetë shef i askujt, por megjithatë mund të bëhet prokuror publik shtetëror", deklaroi ai.
Në pyetjen e gazetarëve pse kandidatët nuk ishin thirrur për intervistë, edhe pse Rregullorja e parashikon këtë mundësi, Besimi shpjegoi se anëtarët tashmë i njohin mirë kandidatët dhe se nuk ka detyrim ligjor për intervistë
Në lidhje me ligjin e ri që parashikon më shumë transparencë dhe dorëzimin e programeve nga kandidatët, Besimi theksoi se Këshilli duhej të vepronte sipas ligjit aktual.
Procedura për zgjedhjen e prokurorit të ri publik shtetëror filloi me shpalljen e konkursit nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut më 12 janar të këtij viti, me afat aplikimi prej 15 ditësh nga dita e publikimit në "Gazetën Zyrtare". Kandidatët duhet të kenë stazh pune të pandërprerë prej të paktën 10 vitesh si prokurorë publikë ose gjyqtarë në fushën e së drejtës penale.
Në përputhje me Ligjin për Prokurorinë Publike, kandidaturat që kanë arritur në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë përcjellë te Qeveria, e cila më pas kërkon mendim nga Këshilli i prokurorëve publikë për të gjithë kandidatët. Këshilli është i detyruar të dorëzojë mendime të arsyetuara brenda afatit prej 15 ditësh te Qeveria, pas së cilës ajo i propozon Kuvendit njërin nga kandidatët që ka marrë mendim pozitiv. qa/
Foto: MIA