• вторник, 13 јануари 2026

Janë pranuar në lexim të parë propozim-ndryshimet e Kodit Penal, me to do të anulohen ato të kontestuara nga viti 2023, vendosen edhe vepra të reja penale

Janë pranuar në lexim të parë propozim-ndryshimet e Kodit Penal, me to do të anulohen ato të kontestuara nga viti 2023, vendosen edhe vepra të reja penale

Shkup, 12 janar 2026 (MIA) - Kuvendi, sot pasdite, në kuadër të seancës së 80-të, miratoi konkludim se Projekt-ligji për ndryshimet në Kodin Penal, i parashtruar nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, është i pranueshëm dhe duhet të përcillet për procedurë të mëtejshme. Leximi i parë i propozimit u mbështet nga të gjithë 69 deputetët e pranishëm në seancë.

Me miratimin e këtyre ndryshimeve të Kodit Penal, duhet të anulohet Ligji për ndryshimet dhe plotësimet e Kodit Penal, të miratuar në shtator 2023, i cili në atë kohë rishikoi politikën ndëshkuese të vendit në përcaktimin e veprave penale. Kjo shkaktoi vjetërsimin e një numri të madh rastesh në sferën e korrupsionit, keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar dhe pasojave tjera negative.

Sipas propozuesve, ndryshimet e reja të Kodit Penal do të eliminojnë çdo pasojë të dëmshme në të ardhmen të ndryshimeve legjislative të miratuara në Kodin Penal në shtator 2023, ndërsa propozimi synon gjithashtu përmbushjen e standardeve evropiane dhe ndërkombëtare.

Ndryshimet në vitin 2023 u vlerësuan negativisht në Raportin e Komisionit Evropian, ndërsa gjithashtu në mënyrë të pafavorshme për këtë vendosi edhe Gjykata Kushtetuese e vendit, e cila në shkurt 2025 nxori një vendim duke i dhënë Parlamentit gjashtë muaj për të miratuar zgjidhje të re ligjore.

Propozuesit e amendamenteve i potenncojnë vërejtjet e KE-së në pjesën "Lufta kundër korrupsionit", ku u theksuan amendamentet dhe plotësimet kontroverse të Kodit Penal të vitit 2023, duke arritur në përfundimin se ato "shkaktojnë shqetësim serioz për shkak të ndikimit të tyre në rastet e ish-PSP-së, pasi një pjesë e madhe e rasteve lidheshin me veprat penale, dispozitat e të cilave u ndryshuan".

"Afatet e reduktuara të vjetërsimit ndikojnë, ndërpresin ose madje çojnë në ndërprerjen e një numri të madh rastesh. Pasi ndryshimet hynë në fuqi nga mesi i shtatorit, disa nga rastet e ish-PSP-së u ndërprenë ose seancat u shtynë për shkak se akuzat nuk ishin më të vlefshme ose është paraqitur vjetërsimi", vlerësoi Komisioni Evropian.

Situata e tillë negative në sistemin gjyqësor të vendit, sipas mbështetësve të ndryshimeve të reja, "fuqimisht e imponoi nevojën për ndryshime dhe plotësime urgjente, prioritare dhe reformuese në Kodin Penal".

"E propozojmë këtë Ligj për ndryshime dhe plotësime të Kodit Penal si zgjidhje ligjore që do të anulonte situatën ekzistuese dhe do ta kthente vendin në rrugën e politikave evropiane në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit", elaboruan mbështetësit e ndryshimeve të Kodit Penal.

Krahas kësaj, me ndryshimet e propozuara të Kodit Penal, vendoset vepër e re penale - inkriminimin e "Keqpërdorimit të regjistrimit, fotografisë, regjistrimit audio ose shkrimeve të tjetrit me përmbajtje eksplicite seksuale". Kryhet edhe harmonizimi i mëtejshëm me Konventën e Stambollit, duke ripërcaktuar veprën penale "Lëndim trupor" nga neni 130 i Kodit Penal, duke hequr ndjekjen penale me propozim në rastet kur vepra penale është kryer gjatë kryerjes së dhunës me bazë gjinore, dhunës ndaj grave ose dhunës në familje ose nga urrejtja ose kundër një personi që është veçanërisht i prekshëm për shkak të moshës, aftësive të kufizuara të rënda fizike ose mendore ose shtatzënisë, me ç'rast kjo formë e veprës penale do të ndiqet penalisht sipas detyrës zyrtare në përputhje me dispozitat e Konventës së Stambollit.

Për shkak të dobësive të identifikuara në praktikë, e me qëllim tejkalimin e tyre, propozohet të vendosen dy forma të reja të veprës penale "Trafikimi me fëmijë", me qëllim tejkalimin e situatës me lypjen.

Propozimi i ligjit përmban edhe dispozita për harmonizimin e veprave penale kundër sigurisë në trafik dhe sekuestrimit të objekteve me paketën e projekt-ligjeve që lidhen me projektin "Qyteti i Sigurt" (Safe city).

Propozimi përmban edhe amendamente "të cilat janë urgjente, e kanë karakter të sqarimit teknik dhe përmirësimit të disa dispozitave, përkatësisht arrestit shtëpiak, lirimit me kusht me mbikëqyrje mbrojtëse dhe konfiskimit të zgjeruar". bsh/

Foto: MIA arkiv

 

 

Остани поврзан