Janevska për MIA-n: Kërkimi i llogaridhënies nuk përbën ndërhyrje në autonominë e universiteteve, për studentët më e rëndësishme është që ligji vlerëson dijen dhe arritjet e tyre
- Kërkimi i llogaridhënies nga universitetet për mënyrën se si shpenzohen mjetet dhe si funksionojnë nuk e konsideroj ndërhyrje në autonominë e tyre. Ne nuk themi se e kanë kryer punën mirë apo keq; themi vetëm se duhet të paraqesin raport për atë që kanë realizuar, si kanë punuar dhe në çfarë mënyre menaxhojnë de facto mjetet që ua jep shteti, thekson ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, pas reagimeve nga universitetet publike, të cilat me ligjin e ri për arsimin e lartë kërkojnë autonomi më të madhe.
Shkup, 25 shkurt 2026 (MIA)
Hatka Smailoviq
Kërkimi i llogaridhënies nga universitetet për mënyrën se si shpenzohen mjetet dhe si funksionojnë nuk e konsideroj ndërhyrje në autonominë e tyre. Ne nuk themi se e kanë kryer punën mirë apo keq; themi vetëm se duhet të paraqesin raport për atë që kanë realizuar, si kanë punuar dhe në çfarë mënyre menaxhojnë de facto mjetet që ua jep shteti, thekson ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, pas reagimeve nga universitetet publike, të cilat me ligjin e ri për arsimin e lartë kërkojnë autonomi më të madhe.
Në intervistë për MIA, ministrja Janevska thekson se nuk ka rrezik dhe nuk duhet të jetë e diskutueshme që, me propozim të ministrit, mund të bëhen ndryshime strukturore në universitete, sepse kjo do të bëhej në konsultim me to, ndërsa në fund do të vendosin këshillat e tyre mësimdhënës. Ajo shton se, pavarësisht çfarë propozon ministri, ekzistojnë mekanizma që mund ta ndalojnë vendimin e tij; në fund gjithçka përfundon në Kuvend, i cili ka legjitimitetin për ta zbatuar vendimin e ministrit
Ajo thekson se nuk mund të konsiderohet ndikim qeveritar fakti që dy anëtarë në Këshillin Universitar propozohen nga Qeveria.
"Nuk pajtohem, sepse në përbërjen e këtij Këshilli Qeveria nuk ka shumicë. Dy anëtarë kurrsesi nuk mund të përbëjnë shumicë", porosit Janevska.

Ministre Janevska, këto ditë në universitetet publike aktivisht merrni pjesë në debatet për ligjet e reja për arsimin e lartë. Nga universitetet dëgjojmë se presin autonomi më të madhe dhe kërkojnë që disa pjesë të ligjit, të cilat i konsiderojnë si të mbiregulluara, të hiqen ose të relativizohen. Nga çfarë frikësohen profesorët në këtë ligj? A kufizohet apo kushtëzohet liria akademike në çështjet kadrovike, financimin, mobilitetin e tyre etj.?
"Në debatin publik në UKIM, por edhe në media, si shembull konkret u përmend ekzistenca e të ashtuquajturit Këshill Universitar, i cili ka ekzistuar edhe në ligjin e mëparshëm, ishte parashikuar me rolin e vet, por asnjëherë nuk u funksionalizua. Këtë herë ne i dhamë dy-tri kompetenca shtesë. Dua të sqaroj për opinionin se bëhet fjalë për llogaridhënie mbi mënyrën e shpenzimit të mjeteve dhe funksionimin e universitetit në tërësi. Kjo është praktikë e zakonshme pothuajse në të gjitha vendet evropiane – diku me rregullim më të rreptë dhe me anëtarë të jashtëm, me intensitet më të madh të shtetit; diku me theks më të madh në praninë e komunitetit akademik. Nuk e konsideroj ndërhyrje në autonomi. Shteti ndan mjete për financimin e universiteteve në funksion të interesit publik dhe pret që ato ta kryejnë punën siç duhet. Nuk po gjykojmë cilësinë e punës, kërkojmë raport për atë që është bërë, si është bërë dhe si menaxhohen mjetet shtetërore.
Ankohen për dy anëtarët e propozuar nga Qeveria, duke e konsideruar si ndikim qeveritar. Nuk pajtohem, sepse Qeveria nuk ka shumicë në këtë Këshill. Dy anëtarë nuk mund të jenë shumicë.
Reagimi i dytë ka të bëjë me dy kompetenca të ministrit. Në një nen thuhet se ministri ka të drejtë të ndalojë zbatimin e një akti për të cilin konstaton se është i kundërligjshëm. Diskutohet mënyra e konstatimit. Ekzistojnë institucione që mbikëqyrin ligjshmërinë e punës së universiteteve, si Agjencia për Cilësi në Arsimin e Lartë dhe Inspektorati Shtetëror i Arsimit, të cilat do ta informonin ministrin për shkelje të mundshme – për shembull, zgjedhje të paligjshme në një titull akademik. Mendohet se kjo dispozitë mund të relativizohet.
Një tjetër nen parashikon që, me propozim të ministrit, mund të bëhen ndryshime strukturore – bashkim universitetesh apo integrim i një universiteti në një tjetër – pas konsultimit me universitetet, përkatësisht këshillat e tyre mësimdhënës. Disa e konsiderojnë të tepruar dhe mendojnë se Qeveria dhe Kuvendi nuk duhet të vendosin për çështje të tilla. Personalisht mendoj se kjo nuk është e saktë. Themelues i universiteteve është Kuvendi, ndërsa i instituteve shkencore është Qeveria. Në interes të publikut dhe të të rinjve, shteti ka të drejtë të vendosë sipas strategjive dhe dokumenteve zhvillimore.
Vërejtjet më të shpeshta kanë të bëjnë me kriteret e ashpërsuara për avancim në tituj mësimor-shkencorë, të lidhura me detyrimin për publikime në bazat Web of Science dhe Scopus. A mendoni se mund të ketë probleme në zbatim?
Jam e bindur se kriteret janë të arritshme. Para vitit 2018 kemi pasur ligj të ngjashëm dhe avancimet janë realizuar sipas atyre standardeve. Pas një periudhe lehtësimi, kjo mund të duket e frikshme, por universitetet janë thelbësore për zhvillimin e shoqërisë. Ato duhet të kontribuojnë në përgatitjen e kuadrove që do të përmirësojnë ekonominë dhe funksionimin e sektorit privat

Çështja është nëse të gjithë duhet të publikojnë në Web of Science apo të përfshihen edhe baza të tjera. Ligji parashikon që shkencat humane të kenë fleksibilitet; për shkencat shoqërore propozohet Scopus, çka është e pranueshme. Por kërkesa për revista më pak relevante shkencërisht do të ulte dukshmërinë ndërkombëtare të universiteteve dhe profesorëve.
Keni thënë se do të pranohen vërejtjet konstruktive. A ka ndonjë dispozitë që do të korrigjohet?
– Po shqyrtojmë seriozisht rikthimin e dispozitës për nepotizmin, e cila ekzistonte në ligjet e viteve 2008 dhe 2018. Personalisht mendoj se nuk është e drejtë, por ministri është i të gjithë qytetarëve. Nëse opinioni e konsideron të nevojshme, do ta rishqyrtojmë pas përfundimit të debateve publike.
Shumë juristë mendojnë se dispozita nuk duhet të ekzistojë, sepse fëmijët duhet të jenë të barabartë në garën për dije dhe punë. Megjithatë, në një vend të vogël është e vështirë t’i ndalosh një të riu të ndjekë profesionin e prindërve. Problemi nuk është studimi, por punësimi. Nuk është e saktë që çdo profesor punëson fëmijën e vet; ka shumë që me punë të ndershme kanë arritur tituj akademikë. Familjet shpesh janë të lidhura me një qytet, dhe lëvizja e detyruar për shkak të një ndalese formale do të ishte problematike.
Çfarë përfitimesh do të kenë studentët nga ky ligj dhe nga ligji për cilësi në arsimin e lartë?
– Debati u përqendrua te stafi akademik, por studentët janë pjesë e komunitetit akademik. Ata mbeten të përfshirë në të gjitha organet drejtuese, me mandat të zgjatur nga një në dy vjet. Zgjedhjet studentore do t’i organizojnë vetë, ndërsa në rast dështimi do të ndërhyjë dekani.
Më e rëndësishmja është përpjekja për meritokraci – vlerësim i dijes dhe arritjeve të studentëve, duke u dhënë përparësi në punësim në komunitetin akademik. Kjo është thelbësore për cilësinë e kuadrove të ardhshme. Nuk kemi vërejtje nga studentët; përkundrazi, disa mbështesin kriteret më të larta për zgjedhjen e stafit.

Ligji për veprimtari kërkimore-shkencore është gjithashtu në Regjistrin Elektronik Nacional Amë të Rregulloreve (RENA).
. Cilat janë risitë?
– Ai është analog me ligjin për arsimin e lartë, por i fokusuar në veprimtarinë kërkimore. Kriteret për tituj kërkimorë janë të njëjta, me specifika përkatëse. Presim më pak vërejtje, pasi struktura është e qartë. Të tre ligjet janë një tërësi e pandashme.
Financimi i shkencës mbetet çështje kyçe. A ka objektiv për përqindjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB)-së?
– Aktualisht është nën 1 për qind. Synimi është të arrijmë 1 për qind deri në fund të mandatit, në varësi të buxhetit shtetëror. Këtë vit mjetet për projekte janë më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin 2024. Projektet janë dyvjeçare dhe vitin e ardhshëm do të shpërndajmë sërish mjete të konsiderueshme për projekte bazike dhe aplikative, përfshirë specializimin e zgjuar.

Kur pritet të miratohet Strategjia Kombëtare e Arsimit 2026–2030?
– Strategjia ka kaluar debate publike dhe është në procedurë qeveritare. Pas shqyrtimit nga ministritë e tjera dhe miratimit në Qeveri, ministri e nënshkruan dhe ajo hyn në fuqi
Sa i përket konceptit të ri për arsimin gjimnazial?
– Versioni i ri nuk shkaktoi reagime të ashpra. Në dy vitet e para programi është i njëjtë për të gjithë; më pas nxënësit zgjedhin lëndë të detyrueshme dhe zgjedhore, përfshirë matematikë të avancuar. Reagimet janë minimale dhe presim zbatim nga viti shkollor 2027–2028.
Arsimi i mesëm profesional dhe klasat duale?
– Arsimi profesional po zhvillohet në drejtimin e duhur. Nga një kompani fillestare, sot kemi 800–1000 kompani të përfshira; mbi 13.000 nxënës ndjekin klasa duale. Mbi 70 për qind e nxënësve të klasës së nëntë janë regjistruar në arsimin profesional. Shumica punësohen aty ku trajnohen, duke mbetur në vend. Çdo vit, para shpalljes së konkursit, komunat analizojnë tregun e punës dhe kuotat përcaktohen sipas nevojave rajonale. ls/
Foto: Andrej Brankoviq