• сабота, 16 мај 2026

Ish-kryeministrat izraelitë Beneti dhe Lapidi bashkohen për të mposhtur Netanjahun

Ish-kryeministrat izraelitë Beneti dhe Lapidi bashkohen për të mposhtur Netanjahun

 Tel Aviv, 26 prill 2026 (MIA)  - Dy ish-kryeministra izraelitë, Naftali Benet dhe Jair Lapid paralajmëruan sot se do të bashkojnë forcat në zgjedhjet e ardhshme në një përpjekje të përbashkët për të mposhtur kryeministrin shumëvjeçar Benjamin Netanjahu.

 Naftali Benet dhe Jair Lapid ishin kryeministra sipas një marrëveshjeje qeverisëse koalicioni me rotacion që formuan në vitin 2021. Tani të dy planifikojnë të bashkojnë partitë e tyre në një formacion të vetëm të udhëhequr nga Beneti.

 "Ky veprim synon bashkimin e bllokut për t'i dhënë fund përçarjeve të brendshme dhe për t'u përqendruar në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme vendimtare", theksohet në komunikatën e partisë Jesh Atid e Lapidit.

 Në vitin 2021, marrëveshja e koalicionit të Benetit dhe Lapidit i dha fund qeverisjes 12-vjeçare të Netanjahut. Beneti u bë kryeministër në vitin e parë, por koalicioni u shpërbë. Lapid më pas ishte kryeministër i përkohshëm për gjashtë muaj, derisa zgjedhjet e reja e rikthyen Netanjahun në pushtet.

 Lapidi u bë lider i opozitës, ndërsa Beneti u tërhoq nga politika.

Të dy politikanët kanë dallime ideologjike. Beneti është një hebre ortodoks me pikëpamje të ashpra ndaj palestinezëve, ndërsa Lapidi është sekular dhe konsiderohet si më i moderuar.

 Aleanca e tyre tani synon të bashkojë një opozitë të fragmentuar që ka pak të përbashkëta përveç një armiqësie të përbashkët ndaj Netanjahut.

 Foto: EPA

 

Остани поврзан