Ishinger: Rezultati i luftës në Ukrainë do ta përcaktojë fatin e Evropës
- Kërcënimi rus ndaj krahut lindor të NATO-s mund të rritet nëse hyn në fuqi armëpushimi në Ukrainë, vlerëson Volfgang Ishinger, kryetar i Konferencës së sigurisë së Munihut, cituar nga DPA.
Munih, 7 shkurt 2026 (MIA) - Kërcënimi rus ndaj krahut lindor të NATO-s mund të rritet nëse hyn në fuqi armëpushimi në Ukrainë, vlerëson Volfgang Ishinger, kryetar i Konferencës së sigurisë së Munihut, cituar nga DPA.
"Për sa kohë që Ukraina mbron Evropën, kërcënimi nuk është aq i madh", thekson diplomati në një intervistë të botuar sot nga "Tagesshpigel".
Kjo do të thotë se ushtritë e presidentit rus Vlladimir Putin për momentin janë të bllokuara atje dhe "ai po humb mijëra ushtarë çdo javë".
Sapo të ndodhë armëpushimi në Ukrainë, situata do të ndryshojë, thotë Ishingeri një javë para edicionit të 62-të të Konferencës ndërkombëtare të sigurisë në Munih e cila mbahet çdo vit në kryeqytetin bavarez.
“Putini mund të vazhdojë armatimin e tij dhe kërcënimi për krahun lindor të NATO-s do të rritet”, tha Ishingeri.
Por pavarësisht kësaj, eksperti gjerman theksoi se gjëja më e rëndësishme është që gjakderdhja në Ukrainë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur.
"Nuk do të dëshiroja asgjë më shumë për popullin e Ukrainës. Por kërcënimi rus për ne gjermanët do të rritet nëse një armëpushim i mundshëm nuk shoqërohet me ulje të ndjeshme të (potencialit ushtarak) të akumuluar në distriktet ushtarake perëndimore të Rusisë", ka thënë Ishingeri.
Foto: arkivi i MIA-s