Ish kryetari i Komunës së Stambollit, Ekrem Imamoglu sërish para gjykatës
- Në Stamboll sot fillon gjykimi i ri kundër ish kryetarit të Komunës, Ekrem Imamoglu, i cili konsiderohet si kundërkandidat i mundshëm i presidentit aktual turk, Rexhep Taip Erdogan.
Stamboll, 11 maj 2026 (MIA) - Në Stamboll sot fillon gjykimi i ri kundër ish kryetarit të Komunës, Ekrem Imamoglu, i cili konsiderohet si kundërkandidat i mundshëm i presidentit aktual turk, Rexhep Taip Erdogan.
Imamoglu së bashku me tre persona të tjerë, akuzohet se janë autorë të veprës penale "spiunazh politik".
Sipas aktakuzës, Imamoglu, këshilltari i tij për fushata Nexhati Ozkan, biznesmeni Husein Gun dhe gazetari Merdan Janardag dyshohet se kanë drejtuar një rrjet kriminal dhe kanë transmetuar të dhëna për qytetarët turq te shërbime të huaja të inteligjencës.
Prokuroria pretendon se qëllimi ka qenë ndikimi në fushatën zgjedhore të vitit 2019, kur politikani nga Partia Republikane Popullore e opozitës u zgjodh për herë të parë kryetar i Komunës së Stambollit. Para kësaj, qyteti për vite me radhë ishte nën qeverisjen e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të Erdoganit.
Qëndrimi i Partisë Republikane Popullore është se bëhet fjalë për një proces të motivuar politikisht.
Nëse shpallen fajtorë, të akuzuarit përballen me dënime me burg nga 15 deri në 20 vjet.
Të katër aktualisht ndodhen në paraburgim.
Imamoglu u shkarkua nga detyra e kryetarit të Komunës së Stambollit dhe u arrestua në mars të vitit 2025 në një rast të veçantë që lidhet me akuza për korrupsion. qa/
Foto: Arkivi i MIA-s