Irani po e shqyrton propozimin amerikan, përderisa Trampi thotë se lufta do të përfundojë “shpejt"
- Në raportin e tij, Aksios e përshkruan memorandumin si një dokument njëfaqësh me 14 pika, i cili mund të vendosë kornizën për negociata më të detajuara bërthamore. Disa nga dispozitat e parashikuara janë: pezullimi i pasurimit bërthamor iranian, heqja e sanksioneve dhe rikthimi i tranzitit të lirë përmes Ngushticës së Hormuzit.
7 maj 2026
Bi-Bi-Si – Londër
Presidenti i SHBA-së, Donalld Tramp, parashikoi se lufta në Iran do të “përfundojë shpejt” dhe tha se shumica e njerëzve e “kuptojnë” synimin e tij për t’i ndalur ambiciet bërthamore të Teheranit.
Komentet e tij vijnë pasi Irani njoftoi se propozimi amerikan për përfundimin e luftës “ende po shqyrtohet”.
Gazeta amerikane Aksios raportoi se Shtëpia e Bardhë beson të jetë afër një memorandumi mirëkuptimi prej 14 pikash me Iranin, i cili mund të vendosë kornizën për negociata më të detajuara bërthamore. Një anëtar i lartë i parlamentit iranian e hodhi poshtë dokumentin si një “listë dëshirash”, ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme tha se Teherani do t’i bëjë të ditura qëndrimet e tij për propozimin amerikan me ndërmjetësit pakistanezë.
Ministri i Punëve të Jashtme të Pakistanit tha se vendi i tij “po përpiqet ta shndërrojë këtë armëpushim në një përfundim të përhershëm të luftës”.
Në raportin e tij, Aksios e përshkruan memorandumin si një dokument njëfaqësh me 14 pika, i cili mund të vendosë kornizën për negociata më të detajuara bërthamore. Disa nga dispozitat e parashikuara janë: pezullimi i pasurimit bërthamor iranian, heqja e sanksioneve dhe rikthimi i tranzitit të lirë përmes Ngushticës së Hormuzit.
Raporti u referohet dy zyrtarëve amerikanë dhe dy burimeve të tjera – të gjithë anonimë – për të cilët thuhet se janë të njoftuar me çështjen në fjalë. Këto burime pretendojnë se shumë nga kushtet e përmendura në memorandum do të varen nga arritja e një marrëveshjeje përfundimtare. Agjencia Rojters raportoi se dy burime të njohura me ndërmjetësimin mes SHBA-së dhe Iranit e kanë konfirmuar informacionin e publikuar fillimisht nga Aksios, por propozimi nuk është bërë publik.
Duke folur mbrëmë në një ngjarje virtuale parazgjedhore, Donalld Tramp u tha republikanëve të shtetit federal të Georgia se është optimist që lufta do
të përfundojë së shpejti. Ai shtoi se shumica e njerëzve e kuptojnë se ai ka të drejtë kur ia mohon Iranit mundësinë për të poseduar armë bërthamore.
Më herët gjatë të së njëjtës ditë, presidenti tha se SHBA-ja kishte zhvilluar “bisedime shumë të mira me Iranin në 24 orët e fundit” dhe se një marrëveshje është e mundur, duke theksuar se çdo vështirësi e shkaktuar për amerikanët – për shkak të çmimeve të larta të karburanteve – do të jetë afatshkurtër.
Paraprakisht , zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, deklaroi për Iranian Students News Agency (ISNA): “Propozimi amerikan ende po shqyrtohet nga Irani dhe pasi të përfundojë shqyrtimi, do ta njoftojmë palën pakistaneze për mendimin tonë.”
Duke iu përgjigjur raportit të Aksios, Ebrahim Rezaei, zëdhënës i Komisionit për Siguri Kombëtare dhe Politikë të Jashtme të parlamentit iranian, shkroi në “X”: “Amerikanët nuk do të marrin asgjë në një luftë që po e humbin, të cilën nuk e morën as në negociata të drejtpërdrejta.”
Ai gjithashtu tha se Irani “e ka gishtin në këmbëz dhe është i gatshëm” dhe paralajmëroi se nëse SHBA-ja nuk “dorëzohet dhe nuk jep lëshimet e duhura”, Irani do të japë “një reagim të ashpër për të cilin do të pendohet”.
Donald Tramp, gjithashtu kërcënoi me përshkallëzim të ri të dhunës, duke shkruar në platformën e tij “Truth Social” se nëse Irani nuk pranon marrëveshjen, “bombardimet do të fillojnë dhe, fatkeqësisht, do të jenë në një nivel shumë më të lartë dhe me intensitet më të madh se më parë”.
Ai gjithashtu tha se operacioni “Epik Fjuri” – ofensiva fillestare amerikano-izraelite në Iran – do të përfundojë “me kusht që Irani të pranojë të dorëzojë atë që është rënë dakord”.
Kjo erdhi pasi Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se operacioni përfundoi pasi kishte arritur objektivat e tij.
Donalld Tramp, gjithashtu tha – jo për herë të parë – se Irani ka pranuar “kurrë të mos ketë armë bërthamore, mes tjerash” – një pretendim që nuk është konfirmuar nga Teherani. Programi bërthamor i Iranit është një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes mes dy palëve.
Donald Trump tha: “Ata [Irani] duan të arrijnë një marrëveshje. Kemi pasur bisedime shumë të mira në 24 orët e fundit dhe është shumë e mundshme që të arrijmë një marrëveshje atje,” duke shtuar: “Mendoj se kemi fituar.”
Ai të martën njoftoi se e ka pezulluar operacionin “Project Freedom”, vetëm disa ditë pasi e kishte shpallur. Operacioni ishte i destinuar të ndihmonte në rikthimin e rrjedhës së naftës dhe në normalizimin gradual të ekonomisë globale, duke nxjerrë anijet e bllokuara nga Gjiri përmes Ngushticës së Hormuzit.
Irani ende nuk ka reaguar publikisht ndaj pauzës, por Garda Revolucionare Islamike e Iranit (Islamic Revolutionary Guard Corps) la të kuptohet për rihapjen e ngushticës nëse ka “fund të kërcënimeve nga agresorët”.
Kjo rrugë detare kyçe, përmes të cilës zakonisht kalon rreth 20% e naftës botërore dhe gazit natyror të lëngshëm, është bllokuar efektivisht nga Irani që nga fundi i shkurtit, pasi SHBA-ja dhe Izrael filluan ta sulmojnë.
Në fillim të prillit, SHBA-ja dhe Irani shpallën një armëpushim sipas të cilit Irani ndaloi sulmet me dronë dhe raketa ndaj vendeve të Gjirit, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, por që atëherë vetëm pak mjete lundruese kanë arritur të kalojnë ngushticën.
SHBA-ja gjithashtu vendosi një bllokadë të vetën ndaj porteve iraniane, duke pretenduar se ka ndaluar dhjetëra anije. Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi të mërkurën se ka goditur dhe nxjerrë jashtë funksioni një tanker iranian të naftës me flamur iranian në Gjirin e Omanit, i cili po përpiqej të thyejë bllokadën.
Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu tha dje se ekziston “koordinim i plotë” mes tij dhe Donalld Tramp lidhur me Iranin.
“Nuk ka befasi. Ne ndajmë qëllime të përbashkëta, dhe qëllimi më i rëndësishëm është heqja e të gjithë materialit të pasuruar nuclear nga Irani dhe çmontimi i kapaciteteve iraniane për pasurim bërthamor,” tha ai.
Komentet e tij erdhën pasiqë Izraeli kreu sulmin e parë në kryeqytetin libanez Bejrut pas armëpushimit të arritur në prill. Benjamin Netanjahu shkroi në rrjetet sociale se forcat e tyre kishin shënjestruar një komandant të lartë të Hezbollahut, “përgjegjës për të shtënat ndaj vendbanimeve
izraelite dhe plagosjen e ushtarëve të Israel Defense Forces” (Forcat Mbrojtëse Izraelite).
Hezbollah, i mbështetur nga Irani, filloi të sulmojë Izraelin në fillim të marsit si hakmarrje për sulmet e tij ndaj Iranit. Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit, Izraeli dhe Hezbollah vazhdojnë sulmet dhe e akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje.
Shumica e bombardimeve ajrore izraelite godasin jugun e Libanit, ndërsa Hezbollahu kryen sulme ndaj ushtarëve izraelitë në Liban dhe në veri të Izraelit me raketa dhe dronë. ls/
foto: arkivë