Irani mohon negociatat për paqe: SHBA-të po negociojnë me vetveten
- Zëdhënësi i forcave të armatosura iraniane hodhi poshtë pretendimet e presidentit amerikan Donald Tramp se Irani po kërkon marrëveshje për ndërprerjen e luftës në Lindjen e Mesme, duke theksuar se SHBA-të "po negociojnë me veten".
Teheran, 25 mars 2026 (MIA) - Zëdhënësi i forcave të armatosura iraniane hodhi poshtë pretendimet e presidentit amerikan Donald Tramp se Irani po kërkon marrëveshje për ndërprerjen e luftës në Lindjen e Mesme, duke theksuar se SHBA-të "po negociojnë me veten".
Nënkoloneli Ebrahim Zolfagari, zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të forcave të armatosura iraniane, këtë deklaratë e dha në një video të regjistruar paraprakisht, e transmetuar në televizionin shtetëror.
"Fuqia strategjike për të cilën folët është shndërruar në një dështim strategjik", tha ai. "Ata që pretendojnë se janë një superfuqi botërore, deri tani do të ishin tërhequr nga ky kaos nëse do të mundnin. Mos e maskoni humbjen tuaj si marrëveshje. Epoka juaj e premtimeve boshe ka përfunduar". Zolfagari shtoi më tej duke pyetur nëse konfliktet e brendshme në SHBA kanë arritur në një pikë ku ata duhet të negociojnë me vetveten.
Ky reagim vjen menjëherë pasi administrata e Donald Trampit i dërgoi Iranit një plan me 15 pika për armëpushim. "Fjala jonë e parë dhe e fundit është e njëjtë që nga dita e parë dhe nuk do të ndryshojë: dikush si ne kurrë nuk do të arrijë marrëveshje me dikë si ju. As tani, as kurrë", është i prerë Ebrahim Zolfaghari.
Në të njëjtën kohë, Korpusi i gardës revolucionare islamike të Iranit (IRGC) njoftoi se ka lëshuar raketa dhe dronë drejt pjesës veriore dhe qendrore të Izraelit, përfshirë edhe Tel Avivin.
Janë kryer sulme edhe ndaj katër bazave ushtarake që përdoren nga SHBA – dy në Kuvajt dhe nga një në Bahriin dhe Jordan. Më herët, autoritetet e Kuvajtit njoftuan për një zjarr në një rezervuar karburanti në aeroportin ndërkombëtar të Kuvajtit, pas një goditjeje nga një dron, ndërsa nuk janë raportuar të lënduar. qa/
Foto: arkivi