• сабота, 16 мај 2026

Irani me vërejtje serioze ndaj disa hapave të SHBA-së, por nuk e përjashton mundësinë e raundi të ri të negociatave

Irani me vërejtje serioze ndaj disa hapave të SHBA-së, por nuk e përjashton mundësinë e raundi të ri të negociatave

Teheran, 21 prill 2026 (MIA) - Ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abas Aragçi, mbrëmë hodhi akuza të reja ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por nuk përjashtoi mundësinë e një raundi të ri bisedimesh.

"Provokimet, retorika kërcënuese dhe shkeljet e vazhdueshme të armëpushimit nga SHBA-ja, veçanërisht sulmet ndaj anijeve tregtare iraniane, përbëjnë një pengesë të rëndësishme për vazhdimin e procesit diplomatik", tha Aragçi në një bisedë telefonike me homologun e tij pakistanez, duke vënë në dukje se "Irani do t'i shqyrtojë me kujdes rrethanat dhe më pas do të vendosë për hapat e mëtejshëm".

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme deklaroi më parë në një konferencë për shtyp në Teheran se vendi ende nuk ka marrë një vendim për negociata të mëtejshme me SHBA-në. "Për momentin nuk është planifikuar asnjë raund i ri bisedimesh", tha ai.

Ministri i Punëve të Jashtme e Pakistanit, Ishak Dar, i bëri thirrje Aragçit që të rifillojë dialogun sa më shpejt të jetë e mundur për të promovuar paqen dhe stabilitetin në rajon, njoftoi Ministria e Jashtme pakistaneze pas bisedës.

Presidenti amerikan Donald Tramp të dielën deklaroi se të mërkurën do të dërgojë përsëri një delegacion në Islamabad për bisedime para se të skadojë armëpushimi.

Një delegacion amerikan do të udhëtojë "së shpejti" për në Islamabad, thanë burime pranë administratës amerikane të njohura me çështjen.

Raundi i parë i bisedimeve midis zyrtarëve të lartë nga Uashingtoni dhe Teherani u zhvillua në Islamabad pak më shumë se një javë më parë, por përfundoi pa rezultate konkrete. mb/

Foto: MIA

Остани поврзан