• четврток, 19 март 2026

Irani i fton talebanët afganë dhe Pakistanin në depërshkallëzim të tensioneve

Irani i fton talebanët afganë dhe Pakistanin në depërshkallëzim të tensioneve

Teheran, 27 shkurt 2026 (MIA) - Irani u ka bërë thirrje qeverive të Pakistanit dhe Afganistanit që të ulin tensionet e larta pas sulmeve gjatë natës, pasi dy fqinjët kishin përkeqësuar marrëdhëniet e tyre për muaj të tërë, raportoi DPA.

Teherani është "gati të ofrojë të gjithë ndihmën për të lehtësuar dialogun", shkroi sot në platformën Iks, ministri i iranian i Punëve të Jashtme, Abas Aragçi.

"Gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, muaji përmbajtjes dhe forcimit të solidaritetit në botën islame, është e përshtatshme që Afganistani dhe Pakistani të menaxhojnë dhe zgjidhin dallimet ekzistuese brenda kornizës së fqinjësisë së mirë dhe përmes dialogut", tha ai, raportoi agjencia gjermane.

Qeveria iraniane mban kontakte të ngushta me Pakistanin. Marrëdhënia e saj me talebanët konsiderohet e tensionuar, por pragmatike.

Teherani nuk i ka njohur zyrtarisht talebanët që kur ata morën pushtetin në vitin 2021.

Tensionet e gjata midis qeverisë talebane në Kabul dhe Pakistanit u përshkallëzuan gjatë natës, me forcat pakistaneze që sulmuan objektiva ushtarake në Afganistan në përgjigje të sulmeve ndërkufitare nga talebanët.

Islamabadi akuzon Kabulin se u ofron strehim militantëve që kryejnë sulme në Pakistan - një akuzë që talebanët islamikë e mohojnë, kujton DPA. mb/

Foto: DPA

Остани поврзан