Irani ende nuk ka marrë vendim për dërgimin e një delegacioni në Islamabad
- Ministri pakistanez i Informacionit, Ataullah Tarar, deklaroi se "ende pritet" përgjigjja zyrtare e Iranit nëse do të marrë pjesë në raundin e ardhshëm të bisedimeve me SHBA-në në Islamabad.
Islamabad, 21 prill 2026 (MIA) - Ministri pakistanez i Informacionit, Ataullah Tarar, deklaroi se "ende pritet" përgjigjja zyrtare e Iranit nëse do të marrë pjesë në raundin e ardhshëm të bisedimeve me SHBA-në në Islamabad.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme iraniane, Esmail Bagai, për Bi-Bi-Si-në (BBS) deklaroi se ende nuk është marrë asnjë vendim për të dërguar përfaqësues iranianë në Islamabad për një raund të ri negociatash me SHBA-në.
Ai shprehu shqetësim për bllokadën detare amerikane të porteve iraniane, konfiskimin e një anijeje iraniane dhe kërcënimin e presidentit amerikan për të shkatërruar infrastrukturën iraniane.
"Hymë në këto negociata me mirëbesim dhe me qëllime serioze, por pala tjetër tregon mungesë serioziteti dhe mirëbesimi... ata shpesh ndryshojnë qëndrime, këto përmbysje dhe kërcënime për krime lufte", theksoi Bagai.
Ai nuk zbuloi se cilat janë kushtet e Iranit për t'u rikthyer në tryezën e negociatave.
Bagai potencoi se po zhvillohen bisedime për të krijuar kushte për vazhdimin e negociatave para skadimit të marrëveshjes së armëpushimit.
Më herët, presidenti amerikan, Donald Tramp, për Si-en-bi-si-në (SNBS) deklaroi se Irani “nuk ka zgjidhje tjetër veçse të dërgojë” përfaqësues në Pakistan për bisedime me SHBA-në.
Trampi, duke iu përgjigjur pyetjes nëse do ta zgjaste armëpushimin nëse do të arrihej një marrëveshje në negociata, tha: "Nuk dua ta bëj këtë".
"Pres se do të bombardojmë sepse kjo do të ishte një qasje më e mirë", theksoi Trampi.
Ai shtoi se armata amerikane e ka përdorur armëpushimin për të rimbushur pajisjet e saj dhe është e përgatitur të vazhdojë sulmet ndaj Iranit.
"Jemi të armatosur deri në dhëmbë. Kemi kaq shumë municione, kaq shumë nga gjithçka... Jemi gati. Armata me padurim pret të fillojë", theksoi Trampi. rq/
Foto: EPA