Ibrahimi: Debati për shqipen, produkt i politizimit të BDI-së në opozitë
- Pas protestave të studentëve që kërkuan provimin e jurisprudencës ta japin në gjuhën shqipe, Zeqirija Ibrahimi nga koalicioni VLEN ka theksuar për Euronews Albania se gjithë debati për shqipen është hapur vetëm pas ndërrimit të pushtetit dhe kalimit të BDI-së në opozitë.
Shkup, 8 prill 2026
Pas protestave të studentëve që kërkuan provimin e jurisprudencës ta japin në gjuhën shqipe, Zeqirija Ibrahimi nga koalicioni VLEN ka theksuar për Euronews Albania se gjithë debati për shqipen është hapur vetëm pas ndërrimit të pushtetit dhe kalimit të BDI-së në opozitë.
Sipas tij, në aspektin juridik asgjë nuk ka ndryshuar nga viti 2001 e deri më sot, dokumentet janë të njëjta, por tash ka interpretime të tjera dhe politizim nga opozita shqiptare, në këtë rast nga BDI, e cila nuk po e duron gjendjen e saj në opozitë.
Ibrahimi ka sqaruar se edhe atëherë kur u miratua ligji që BDI e quan “ligj për gjuhën shqipe”, ai nuk e ka bërë shqipen gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, por vetëm ka avancuar përdorimin e saj në disa fusha.
“Në interpretimin ndërkombëtar të politikave gjuhësore, Maqedonia e Veriut është shtet monogjuhësor, me gjuhën maqedonase dhe alfabetin cirilik. Asnjë gjuhë tjetër nuk përmendet në mënyrë taksative, as në Kushtetutë e as në ligje”, ka theksuar ai.
Kushtetuta e Kosovës është shembull i qartësisë, RMV mbetet e paqartë për shqipen
Zeqirija Ibrahimi nga koalicioni VLEN ka theksuar se problemi i gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut buron nga mungesa e precizimit ligjor dhe kushtetues. Sipas tij, fakti që përdorimi i shqipes lidhet me nenin e parë dhe me pragun demografik prej 20 për qind, e lë hapësirë për interpretime të ndryshme dhe e bën shqiptarët të trajtohen si “popull statistikash” e jo si popull politik.
“Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk janë popull politik, por popull që duhet të interpretohen në bazë të paradigmave demografike. Nëse janë mbi 20 për qind, përdoret shqipja; nëse jo, ajo nuk zbatohet. Për shembull, në Bllacë, ku shqiptarët nuk janë shumicë, shqipja nuk përdoret, ndërsa në Strugë, ku ka shumicë shqiptare, mund të përdoret”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai ka bërë krahasim me Kushtetutën e Kosovës, ku është e përcaktuar qartë se gjuhë zyrtare në tërë territorin janë shqipja dhe serbishtja.
“Në Maqedoninë e Veriut kjo çështje nuk është e zgjidhur në mënyrë të tillë, prandaj ka mbetur një zbrazëtirë që sjell probleme dhe interpretime të pafundme,” ka shtuar ai.
VLEN