• петок, 20 февруари 2026

Hoxha: Me modernizimin e sistemit rajonal të mbeturinave në Rusino, po i japim fund improvizimeve dhe po zgjidhim përgjithmonë problemet e qytetarëve

Hoxha: Me modernizimin e sistemit rajonal të mbeturinave në Rusino, po i japim fund improvizimeve dhe po zgjidhim përgjithmonë problemet e qytetarëve

 Gostivar, 19 shkurt 2026 (MIA) - Këtë vit do të ndodhë një kthesë të gjelbër që do të shihet në terren - në infrastrukturë, standarde dhe rezultate, tha ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Muhamet Hoxha në promovimin e makinerive të rënda të blera në kuadër të Projektit Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave të Ngurta në deponinë Rusino, pranë Gostivarit. Ai në fjalimin e tij theksoi se me këtë furnizim ka filluar një kthesë të vërtetë në menaxhimin e mbeturinave në rajonin e Pollogut.

 "Me vendosjen e këtij sistemi, më në fund po i japim fund improvizimeve dhe po fillojmë ta zgjidhim përgjithmonë problemin i cili me dekada i mundon qytetarët e Gostivarit, Tetovës dhe të gjitha vendbanimeve në këtë rajon. Nuk kemi më kohë për zgjidhje të pjesshme që nuk zgjidhin asgjë. Një sistem modern rajonal i mbeturinave do të thotë fund i deponive ilegale dhe një Pollog më i pastër. Prandaj, viti 2026 është viti kur kthesa e gjelbër do të shihet në terren - në infrastrukturë, në standarde dhe në rezultate",  tha Hoxha

 Ai tha se në vijim është përgatitja e dokumentacionit të projektit dhe tenderit për rehabilitimin dhe zgjerimin e deponisë së Rusinos. Ministri Hoxha theksoi se me një hua të siguruar përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe me mbështetjen e SECO, WBIF dhe Qeverisë së Suedisë përmes SIDA-s, është nisur reforma më e madhe e infrastrukturës në sektorin e mbeturinave.

Në ceremoni morën pjesë shumica e kryetarëve të komunave të rajonit të Pollogut dhe drejtues të ndërmarrjeve komunale. 

 Ambasadori i Konfederatës Zvicerane, Kristof Zomer, në fjalimin e tij në ceremoni, vuri në dukje se Zvicra mbështet përmirësimet në shërbimet e menaxhimit të mbeturinave në rajonin e Pollogut.

 "Mbeten disa detyra të rëndësishme për të përfunduar me sukses fazën e dytë të projektit. Së pari, duhet të përgatitet dokumentacioni teknik dhe dokumentacioni i tenderit për rindërtimin e deponisë Rusino dhe punimet duhet të tenderohen deri në shtator të vitit 2026. Tashmë në mars të vitit 2026, duhet të shpallet përsëri tenderi për punimet në stacionin e transferimit në Tetovë. Një detyrë tjetër në mars: pastaj duhet të shpallet tenderi për furnizimin e kamionëve, kontejnerëve dhe kazanëve për të gjithë rajonin e Pollogut",  tha Zomeri.

 Zvicra për përmirësimin në shërbime për menaxhim me mbeturina në rajonine Pollogut që nga viti 2018  ka ndihmuar me 1.9 milionë franga zvicerane. Zomeri theksoi se tani po bashkëfinancon projektin së bashku me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Fondin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor me 9 milionë franga zvicerane shtesë, të cilat, tha mbështesin komponentin institucional dhe punimet e rehabilitimit për deponinë e Rusinos.

 Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, shprehu mirënjohje të madhe për mbështetjen dhe vuri në dukje se qeveria lokale do të ndihmojë në një menaxhim më të mirë të mbeturinave.

"Ky investim përfaqëson një hap konkret drejt përmirësimit të menaxhimit të mbeturinave në komunën tonë. Për vite me radhë, deponia e Rusinos ka qenë një sfidë për shkak të fluksit të lartë të mbeturinave dhe kapaciteteve të kufizuara teknike. Me këtë pajisje të re e  rrisim efikasitetin operativ, përmirësojmë monitorimin mjedisor dhe zvogëlojmë rrezikun e ndotjes së tokës, ujit dhe ajrit", tha Limani. 

 Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami në fjalim përmendi se pajisja që promovohet sot do ta rrisë ndjeshëm kapacitetin operativ të deponisë së Rusinos dhe do të mundësojnë zbatimin e praktikave mjedisore sipas standardeve evropiane.

"Kjo do të thotë më pak ndotje, një mjedis më të sigurt dhe një cilësi më të mirë jetese për qytetarët tanë. Si Komunë e Tetovës, e shohim këtë projekt si pjesë të një vizioni më të gjerë. Një Tetovë e pastër nuk është vetëm çështje estetike. Është çështje e shëndetit publik, përgjegjësisë qytetare dhe respektit për brezat e ardhshëm", tha Kasami. 

 Projekti për furnizimin me makineri të rëndë është realizuar me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ambasadës së Zvicrës në vend, si dhe me financim strategjik nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

 Foto: MIA

 

Остани поврзан