Hilari Klinton do të dëshmojë para Kongresit amerikan në rastin Epstin
- Ish sekretarja e Shtetit e SHBA-së, Hilari Klinton, pritet të dëshmojë sot para Kongresit të SHBA-së lidhur me skandalin rreth abuzuesit seksual Xhefri Epstin.
Uashington, 26 shkurt 2026 (MIA) - Ish sekretarja e Shtetit e SHBA-së, Hilari Klinton, pritet të dëshmojë sot para Kongresit të SHBA-së lidhur me skandalin rreth abuzuesit seksual Xhefri Epstin.
Fillimisht, Hilari Klinton, 78 vjeçe, pritet të dëshmojë nën betim sot, përpara se bashkëshorti i saj dhe ish presidenti Bill Klinton, 79 vjeç, të merret në pyetje nesër.
Sipas mediave amerikane, ata nuk do të merren në pyetje në Kongresin në Uashington, por nëpërmjet video lidhjes. Seancat pritet të jenë të mbyllura, kështu që nuk është e qartë se sa informacion do të publikohet.
Hilari dhe Bill Klinton për muaj të tërë refuzuan të dëshmojnë para Kongresit Amerikan në hetimin e çështjes Epstin.
Demokratët akuzuan kryetarin republikan të Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve, Xhejms Komer, se po drejtonte një proces të motivuar politikisht.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, marrëveshja e tyre për të dëshmuar në fillim të shkurtit çoi në anulimin e një votimi nga republikanët mbi procedurat për shpërfillje të Kongresit kundër familjes Klinton.
Emri dhe imazhet e Bill Klinton shfaqen në dokumente që lidhen me hetimin për Epstin. Megjithatë, vetëm përmendja e tij nuk do të thotë asgjë. Ish presidenti ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje në lidhje me njohjen e tij me Epstin.
Epstin drejtonte një rrjet trafikimi seksual për vite me radhë, duke përfituar nga dhjetëra gra të reja dhe të mitura. Financieri nga Nju Jorku kishte lidhje të shkëlqyera në shoqërinë e lartë amerikane. Ai vdiq në qelinë e tij të burgut në vitin 2019 përpara se të gjykohej. sa/
Foto: DPA