Gjykimi për rastin “Puls”: Lexohen deklaratat e dëshmitarëve që nuk janë të kapshëm për organet e përndjekjes
- Deklaratat e dëshmitarëve Dario Trifunov dhe Aleksandra Pepelarovska, të dhëna në Prokurori gjatë procedurës hetimore u lexuan në sallën e gjyqit në Idrizovë në gjykimin e sotëm për zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan, pasi të dy nuk janë më në dispozicion të organeve të rendit.
Shkup, 4 maj 2026 (MIA) - Deklaratat e dëshmitarëve Dario Trifunov dhe Aleksandra Pepelarovska, të dhëna në Prokurori gjatë procedurës hetimore u lexuan në sallën e gjyqit në Idrizovë në gjykimin e sotëm për zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan, pasi të dy nuk janë më në dispozicion të organeve të rendit.
Mbrojtja kundërshtoi propozimin e Prokurorisë për tërheqjen e këtyre dëshmitarëve, duke pretenduar se ata janë vendimtarë për përcaktimin e disa momenteve kyçe rreth zjarrit - kush i vendosi dhe ndezi spërkatësit në mbrëmjen fatale në diskotekë.
Dario Trifunov, në deklaratën e tij në Prokurori, përshkruan shpërthimin e zjarrit më 16 mars në diskotekë, si dhe evakuimin, kërkimin për pjesën tjetër të grupit me të cilin kishte dalë atë mbrëmje dhe se si u dërguan në spital për ndihmë mjekësore.
Dëshmitarja Aleksandra Pepelarovska, në dëshminë e saj në Prokurori, shpjegon brendësinë e diskotekës "Puls", por dhe si natën e zjarrit pa një person mashkull që nuk e njihte duke vendosur spërkatësit në skenë. Kjo dëshmitare shpjegon gjithashtu momentin kur shpërtheu zjarri - duke treguar se dy persona u përpoqën ta shuanin dhe se si ajo u nxor jashtë nga sigurimi të cilët thotë se po nxirrnin edhe të tjerë.
Pas leximit të deklaratës së dëshmitarit të parë, mbrojtja e sigurisë reagoi, duke theksuar se ky dëshmitar ishte përgjegjës për ruajtjen e fotove dhe videove nga mbrëmja tragjike, por ato nuk ishin në provat e Prokurorisë.
Seanca e sotme vazhdon me marrjen në pyetje të drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Aleksandar Stankov.
Prokuroria në seancën e mëparshme, paraqiti gjetjet dhe mendimet e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore mbi shkaqet e vdekjes së viktimave, si dhe dokumentacionin mjekësor dhe të dhënat mbi të lënduarit që kërkuan ndihmë mjekësore pas zjarrit në të cilin vdiqën 63 persona, ndërsa u lënduan mbi 200 persona.
Zjarri në diskotekën "Puls" në Koçan shpërtheu më 16 mars 2025 gjatë performancës së grupit DNK dhe paraqet një prej tragjedive më të rënda në historinë më të re të vendit. Gjykimin e udhëheq gjykatësja Diana Gruevska-Ilievska, ndërsa prokuroria përfaqësohet nga ekip prej 15 prokurorëve.
Foto: arkivi i MIA-s