• сабота, 16 мај 2026

Gjykatësi federal publikon një shënim të dyshuar për vetëvrasje nga Xhefri Epstin

Gjykatësi federal publikon një shënim të dyshuar për vetëvrasje nga Xhefri Epstin

Nju Jork, 7 maj 2026 (MAI) - Një gjykatës federal nga Nju Jorku publikoi një dokument të përshkruar si një shënim lamtumire, për të cilin pretendohet se e ka shkruar Xhefri Epstin dhe në të cilin thuhet: "Është bukur të mund të zgjedhësh vetë momentin kur thua lamtumirë". 

Epstin, një investitor financiar i diskredituar i akuzuar për trafikim seksual me të mitura, ishte gjetur i vdekur në qelinë e tij në një burg në Menheten në gusht të vitit 2019, ndërsa vdekja e tij u cilësua si vetëvrasje. Shënimi i shkruar me dorë u gjet nga ish shoku i tij i qelisë, vrasës i dënuar dhe ish polic Nikolas Tartalone. 

Gjykatësi federal Kenet Karas, i cili drejtoi çështjen e Tartalones, e publikoi shënimin me kërkesë të gazetës "Nju Jork tajms", e cila javën e kaluar raportoi për ekzistencën e tij. Karas vlerësoi se shënimi përbën një dokument gjyqësor që mund të jetë i disponueshëm për publikun, pasi ishte dorëzuar gjatë procedurës penale kundër Tartalones, i cili po vuan katër dënime të njëpasnjëshme me burgim të përjetshëm për vrasje të lidhura me drogën. Megjithatë, gjyqtari theksoi se nuk mund të garantojë autenticitetin e shënimit. 

Shënimi është shkruar në një bllok të verdhë për shënime dhe është dorëzuar nga avokatët e Tartalones, i cili ka qenë shok qelie me Epstinin për rreth dy javë në korrik të vitit 2019, ndërsa të dy ndodheshin në paraburgim në Menheten. 

"Më hetuan me muaj - NUK GJETËN ASGJË!!! Pra, akuzat 15 vjeçare çuan në këtë. Është bukur të mund të zgjedhësh vetë momentin kur thua lamtumirë", thuhet në shënim. 

Epstin në vitin 2008 pranoi fajin në Florida për nxitje të prostitucionit të të miturave, një vendim që çoi në një marrëveshje kontroverse me prokurorinë dhe një periudhë të shkurtër burgimi. Në korrik të vitit 2019 ai u arrestua sërish dhe u akuzua për rekrutimin dhe abuzimin e vajzave të mitura në Nju Jork dhe Florida.

Shënimi u shfaq në korrik të vitit 2019, pasi Epstin ishte gjetur i gjallë në qelinë e tij me shenja në qafë, në një incident që autoritetet atëherë e përshkruan si tentativë vetëvrasjeje. Sipas deklaratave të Tartalones, shënimi ishte fshehur brenda një libri në qelinë e tyre të përbashkët. Epstin vdiq disa javë më vonë, më 10 gusht 2019.

Tartalone e përmendi shënimin në një podkast vitin e kaluar, por çështja mori vëmendje më të gjerë pasi "Nju Jork tajms" të enjten e kaluar publikoi një artikull për ekzistencën e tij. Gazeta theksoi se hetuesit federalë nuk e kanë parë kurrë shënimin dhe se ai nuk figuron mes miliona dokumenteve të lidhura me Epstin, të cilat Ministria e Drejtësisë i ka publikuar në vitet e fundit. qa/

Foto: arkivi

 

Остани поврзан