• петок, 15 мај 2026

Gjykata e apelit në SHBA e pezullon përkohësisht aktvendimin kundër taksave të importit të vendosura nga Trampi

Gjykata e apelit në SHBA e pezullon përkohësisht aktvendimin kundër taksave të importit të vendosura nga Trampi

Uashington, 13 maj 2026 (MIA) – Presidenti amerikan Donald Tramp ka siguruar një fitore të përkohshme ligjore në procesin gjyqësor të nisur për shkak të politikës së tij tarifore, pasi një gjykatë federale e apelit ka pezulluar përkohësisht vendimin me të cilin javën e kaluar tarifat e tij të importit u shpallën të paligjshme.

Me vendimin e Gjykatës së Apelit, importuesit do të vazhdojnë përkohësisht të paguajnë tarifë prej 10 për qind. Bëhet fjalë për një masë të përkohshme ndërsa apeli shqyrton kërkesën e administratës së Trampit për rrëzimin e vendimit të Gjykatës për tregti ndërkombëtare në Nju-Jork. 

Të paditurit, mes të cilëve janë shteti federal Uashington dhe dy kompani, kanë afat prej shtatë ditësh për të dhënë përgjigje. Nëse edhe Gjykata e Apelit vendos kundër tarifave, administrata e Trampit mund të drejtohet edhe te Gjykata Supreme e SHBA-së.

 Administrata amerikane vlerësoi se vendimi i Gjykatës tregtare do ta minonte seriozisht agjendën tregtare të presidentit dhe do të destabilizonte përpjekjet për uljen e deficitit tregtar afatgjatë.

Javën e kaluar, Gjykata për tregti ndërkombëtare vlerësoi se Trampi i ka tejkaluar kompetencat e tij me vendosjen e tarifës së përkohshme prej 10 për qind, duke theksuar se ai e ka interpretuar gabim ligjin tregtar mbi të cilin ishte mbështetur.

Që nga 24 shkurt i këtij viti, SHBA-ja vendosi një tarifë prej 10 për qind për pjesën më të madhe të importeve, pasi Gjykata Supreme më herët shpalli të paligjshme disa masa të mëparshme tarifore të vendosura nga Trampi.

Më pas, Trampi u mbështet në një masë urgjente përmes një ligji tregtar të vitit 1974, i cili lejon që tarifa të tilla të aplikohen për një periudhë maksimale deri në 150 ditë. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

Остани поврзан