• петок, 20 февруари 2026

Gashi për protestën e LSM-së para Kuvendit: Ne do të punojmë, ndërsa do ta respektojmë edhe të drejtën e qytetarëve për të protestuar

Gashi për protestën e LSM-së para Kuvendit: Ne do të punojmë, ndërsa do ta respektojmë edhe të drejtën e qytetarëve për të protestuar

Shkup, 9 shkurt 2026 (MIA) – Kuvendi nesër do të punojë paralelisht me protestat e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM) të caktuara në orën 9, tha spikeri Afrim Gashi. Ai në brifingun e sotëm me gazetarët deklaroi se pret që protesta të kalojë qetë, dhe se nuk do të ketë sigurim shtesë të objektit. 

“Në koordinimin e sotëm me grupet parlamentare flasim se do të ketë protestë. U dakorduam që të gjithë koordinatorët të flasin me deputetët për të gjetur mënyrë për të ardhur në seancë, pa penguar të drejtën e qytetarëve për të protestuar. Nuk besoj se dikush do të vijë me veturë, nëse do të vijë në këmbë apo më herët, nuk e di si do të jetë. Por u dakorduam që duhet të vazhdojmë të punojmë, dhe gjithashtu do të respektojmë të drejtën e qytetarëve për të protestuar. Nuk do të ketë sigurim të veçantë në Kuvend. Shefi i kabinetit tim u takua me shefat e MPB-së, ata kanë protokolle të rregullta sigurie. MPB po merr të gjitha masat e saj. Shpresoj që gjithçka të jetë qetë dhe gjithçka të shkojë siç duhet. Pra, ata do të protestojnë, ne do të punojmë”, tha Gashi në brifingun e sotëm me gazetarët.

Pret që të bllokohen vetëm hyrjet për automjete, siç paralajmëruan nga Sindikata. 

“Nuk besoj se ndonjë deputet nuk do të vijë në këmbë”, tha ai. 

Në lidhje me pyetjen për koment për kërkesat sindikaliste, Gashi vlerëson se problemi nuk mund të zgjidhet vetëm me rritjen e pagave. 

“Në parim, të gjithë po luftojmë për mirëqenien e qytetarëve. Ky është prioriteti ynë i parë, por nuk mund të zgjidhet vetëm duke rritur pagat. Nëse do të varej nga unë, do t'i rrisja menjëherë të gjitha pagat. Duhet të merret parasysh e gjithë pasqyra ekonomike. Mendoj se duhet t'i nivelojmë pagat sipas prioritetit, të përcaktojmë se cilat funksione janë më të rëndësishmet në vend. Nga aty, le të shkojmë - presidenti i vendit, i Kuvendit, kryeministri, deputeti, drejtori, mësuesit, mjekët... dhe të kemi një nivelim më të drejtë të pagave. Mendoj se kjo do të ishte mënyra më e drejtë për ta zgjidhur atë problem”, tha Gashi.

Në pyetjen nëse deputetët janë të disponuar për të kënaqur kërkesat e punëtorëve për 600 euro pagë minimale dhe për rritje lineare për 6.000 denarë të të gjitha pagave të tjera, Gashi tha se çdo parti do të marrë qëndrimin e saj.

Ai kumtoi se deri tani në Kuvend nuk ka mbërritur nismë nga grupet parlamentare për interpelancë të ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov në pjesën e deklaratave të tij se provimi i jurisprudencës nuk duhet të jepet në gjuhën shqipe, ndërsa nëse ka nismë të tillë, sipas rregullores, vendoset menjëherë në rend dite mbledhjen e parë të ardhshme. 

Në lidhje me marrjen e imunitetit të deputetit të partisë E majta, Sashko Jançev në lidhje me aksidentin e komunikacionit, Gashi njoftoi se deri më tani në Kuvend nuk ka mbërritur një kërkesë e tillë konkrete. Potencoi se për marrjen e imunitetit të deputetit duhet të mbërrijë kërkesë nga institucioni – Prokuroria, gjykata dhe për këtë duhet të debatojë Komisioni për Çështje të Mandatit- Imunitetit. 

Rreth procedurës për grupin e punës për Kodin Zgjedhor, Gashi theksoi se të gjitha propozimet janë dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe ajo duhet të thirre mbledhje konstituive të grupit të punës dhe të fillojë me punë. 

Në lidhje me Ligjin për Qeverinë, gjegjësisht për shfuqizimin e qeverisë teknike, Gashi informoi se deri më tani te ata nuk ka mbërritur asgjë. Ai paralajmëroi se në mbledhjen plenare të caktuar për 18 shkurt do të jenë pyetjet e deputetëve nga deputetët e opozitës. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s, Kuvendi

 

Остани поврзан