• четврток, 19 март 2026

Fronti Evropian i udhëheq nga BDI paraqiti një rezolutë për Ligjin për përdorimin e gjuhëve në provimin e jurisprudencës

Fronti Evropian i udhëheq nga BDI paraqiti një rezolutë për Ligjin për përdorimin e gjuhëve në provimin e jurisprudencës

Shkup, 18 mars 2026 (MIA) - Deputetët e Frontit Evropian të udhëhequr nga BDI sot në Kuvend dorëzuan Rezoluta për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në provimin e jurisprudencës, si një iniciativë që buron drejtpërdrejt nga studentët e drejtësisë, të cilët kanë kërkuar respektimin e një të drejte të garantuar me ligj.

"Përkundër faktit se studentët shqiptarë ndjekin dhe përfundojnë studimet në gjuhën shqipe në universitete të akredituara në vend, atyre u pamundësohet dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare. Kjo situatë përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe cenon parimin kushtetues të barazisë para ligjit", thuhet në kumtesën e Frontit Evropian.

Rezoluta e dorëzuar në Kuvend, e mbështetur nga deputetët shqiptarë të opozitës, kërkon nga institucionet kompetente – në veçanti nga Ministria e Drejtësisë dhe Komisioni për Provimin e Jurisprudencës – që të ndërmarrin masa të menjëhershme për zbatimin e plotë dhe të pandërprerë të ligjit, duke siguruar organizimin e provimit edhe në gjuhën shqipe.

Ata theksojnë se provimi i jurisprudencës është një provim profesional për verifikimin e njohurive juridike dhe nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si mekanizëm diskriminues apo pengues për studentët mbi bazë gjuhësore.

"Moszbatimi i plotë i ligjit krijon një situatë të pabarabartë dhe diskriminuese, duke kufizuar qasjen e barabartë në profesionin juridik për një kategori të tërë studentësh. Një praktikë e tillë është e papranueshme në një shtet që synon sundimin e së drejtës dhe respektimin e të drejtave themelore. Përmes kësaj rezolute kërkohet përgjegjësi institucionale dhe veprim konkret, me qëllim që të garantohet trajtim i barabartë dhe respektim i plotë i të drejtave gjuhësore, në përputhje me legjislacionin në fuqi", theksohet në kumtesë.

Nga Fronti Evropian theksojnë se kjo iniciativë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të barazisë, drejtësisë dhe funksionimit të shtetit të së drejtës. sa/

Foto: MIA Arkivi/Fronti Evropian

Остани поврзан