Fon der Lajeni hedh poshtë kërcënimet e Trampit për rritjen e tarifave për makinat e BE-së
- Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen ka hedhur poshtë kërcënimet e presidentit të SHBA-së, Donald Tramp për të rritur tarifat për makinat evropiane, duke paralajmëruar Uashingtonin të qëndrojë në marrëveshjen tregtare të arritur me Brukselin.
Jerevan, 6 maj 2026 (MIA) - Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen ka hedhur poshtë kërcënimet e presidentit të SHBA-së, Donald Tramp për të rritur tarifat për makinat evropiane, duke paralajmëruar Uashingtonin të qëndrojë në marrëveshjen tregtare të arritur me Brukselin.
Për herë të parë që kur Trampi njoftoi të premten se do të vendosë tarifa prej 25 për qind për makinat e prodhuara në BE, Fon der Lajeni tha se "marrëveshja është marrëveshje", bëri të ditur dje Politiko.
"Marrëveshja është marrëveshje. Kemi marrëveshje dhe thelbi i asaj marrëveshje është prosperiteti, rregullat e përbashkëta dhe siguria", tha Fon der Lajeni në konferencën për shtyp gjatë samitit BE-Armeni të mbajtur në Jerevan.
Kryetarja e Komisionit Evropian shtoi se "SHBA ka për detyrim" dhe tha se "BE është e përgatitur për çdo skenar".
Kërcënimet e fundit të Trampit për tarifa paraqesin përshkallëzim të mprehtë të marrëdhënieve tregtare tashmë të tensionuara midis Uashingtonit dhe Brukselit.
Në konferencën për shtyp në Jerevan dje, kreu i Këshillit Evropian Antonio Koshta deklaroi se liderët e BE-së "mbështesin plotësisht përgjigjen e KE-së ndaj kërcënimit të fundit tregtar të Trampit".
Presidenti francez, Emanuel Makron e bëri të qartë këtë mbështetje në konferencën e veçantë për shtyp në Jerevan me kryeministrin armen Nikoll Pashinjan.
"Marrëveshjet janë nënshkruar dhe duhet të respektohen, sepse nëse ato vihen në pikëpyetje, gjithçka do të rihapet. Nëse një vend kërcënohet me tarifa të reja, BE-ja ka mekanizma për t'iu përgjigjur dhe duhet t'i përdorë ato sepse për këtë janë të destinuara", tha Makroni, duke shtuar se aleatët e ngushtë si Brukseli dhe Uashingtoni "kanë gjëra shumë më të mira për të bërë sesa të bëjnë kërcënime që çojnë në destabilizim".
Pas paralajmërimit tronditës të Trampit, KE fillimisht shmangu përballjen e drejtpërdrejtë me Shtëpinë e Bardhë, duke thënë vetëm se BE do t'i mbante të gjitha opsionet të hapura.
Foto: DPA