Fon der Lajen: Lufta me Iranin u kushton evropianëve miliarda euro në faturat e energjisë
- Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, theksoi pasojat ekonomike të konfliktit në Lindjen e Mesme për evropianët për shkak të varësisë së madhe të BE-së nga importet e lëndëve djegëse fosile.
Strasburg, 11 mars 2026 (MIA) - Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, theksoi pasojat ekonomike të konfliktit në Lindjen e Mesme për evropianët për shkak të varësisë së madhe të BE-së nga importet e lëndëve djegëse fosile.
"Që nga fillimi i konfliktit, çmimet e benzinës janë rritur për 50 përqind dhe çmimet e naftës për 27 përqind", tha fon der Lajen sot në një fjalim para Parlamentit Evropian në Strasburg të Francës.
"Nëse e përkthen këtë në euro: 10 ditë luftë u kanë kushtuar tashmë taksapaguesve evropianë tre miliardë euro shtesë (3.5 miliardë dollarë) në importet e lëndëve djegëse fosile", tha ajo. "Ky është çmimi i varësisë sonë."
Vërejtjet e saj vijnë pas prezantimit të nismave të reja të BE-së për energjinë dje, duke përfshirë edhe futjen e planifikuar të reaktorëve të rinj bërthamorë më të vegjël deri në fillim të viteve 2030 për të rritur prodhimin e energjisë në bllok.
Fon der Lajen tha se komisioni aktualisht po vlerëson masa shtesë për të ulur faturat e energjisë, duke përfshirë edhe kufizimin e çmimeve të benzinës.
Pasi pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 shkaktoi një rritje marramendëse të çmimeve të energjisë në Bashkimin Evropian, pasojat e luftës në Iran janë hera e dytë në po aq vite që çmimet e energjisë në BE janë rritur për shkak të konflikteve gjeopolitike.
Fon der Lajen theksoi se përpjekjet e fundit për të diversifikuar furnizuesit e karburanteve fosile po kufizojnë pasojat e konfliktit në Lindjen e Mesme.
"Por kjo nuk do të thotë që ne jemi imunë ndaj goditjeve të çmimeve.
Tregjet e energjisë janë globale", tha ajo. "Pavarësisht se çfarë masash marrim, për sa kohë që importojmë një pjesë të konsiderueshme të lëndëve djegëse fosile nga rajone të paqëndrueshme, ne jemi të prekshëm dhe të varur", shtoi ajo. sa/
foto: Arkivi