Fon der Lajen: Evropa nuk mund ta zgjidhë çdo problem në botë
- Politika e jashtme evropiane gjithmonë do të jetë e kufizuar dhe Evropa duhet të pranojë se nuk mund ta zgjidhë çdo problem në botë, deklaroi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Fon der Lajen në takimin vjetor të ambasadorëve të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Bruksel, 9 mars 2026 (MIA) – Politika e jashtme evropiane gjithmonë do të jetë e kufizuar dhe Evropa duhet të pranojë se nuk mund ta zgjidhë çdo problem në botë, deklaroi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Fon der Lajen në takimin vjetor të ambasadorëve të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Ajo vlerësoi se Evropa nuk mund të jetë më roje e rendit të vjetër botëror.
“Ajo botë nuk do të kthehet më. Ne gjithmonë e kemi mbrojtur sistemin e rregullave të krijuar me aleatët tanë, por kjo nuk është më mënyra e vetme për të mbrojtur interesat tona,” tha Ursula Fon der Lajen.
Kryetarja e Komisionit Evropian ka rihapur çështjen nëse sistemi evropian i vendimmarrjes, i cili bazohet në unanimitet dhe kompromis, e ndihmon apo e pengon BE-në të jetë një aktor gjeopolitik.
Ajo i bëri thirrje Unionit të jetë më i vendosur në kundërshtimin e agresionit dhe përpjekjeve për ndërhyrje të jashtme, si dhe të jetë më pragmatik në bashkëpunimin ekonomik me botën.
"Paqja është në zemër të Bashkimit Evropian. Por, për të siguruar paqen në botën e sotme, Evropa duhet të jetë në gjendje të demonstrojë forcë, të parandalojë dhe të reagojë", theksoi Fon der Lajen.
Ajo shtoi se BE-së i duhen mjetet për të mbrojtur territorin, demokracinë dhe mënyrën e jetesës së saj, dhe siguria duhet të merret parasysh në të gjitha politikat evropiane.
Duke iu referuar ngjarjeve të fundit në Lindjen e Afërt, Fon der Lajen vlerësoi se ato mund të kenë pasoja afatgjata për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe unitetin e Bashkimit Evropian.
Ajo theksoi se vdekja e liderit iranian Ali Hamnei u prit nga shumë njerëz me shpresën se kjo mund të hapte rrugën drejt një Irani më të lirë.
"Nuk duhet të derdhen lot për regjimin iranian. Ai i ka sjellë vdekje dhe represion popullit të vet, ka destabilizuar rajonin dhe ka vrarë mijëra të rinj", tha ajo.
Sipas Fon der Lajen, ka mendime të ndryshme nëse sulmet ndaj Iranit përbëjnë një "luftë zgjedhjeje" apo një "luftë domosdoshmërie".
Ajo paralajmëroi gjithashtu se Bashkimi Evropian do t'i sigurojë Ukrainës kredinë e premtuar prej 90 miliardë euro.
"Lufta duhet të përfundojë në një mënyrë që nuk mbjell farat e një konflikti të ri. Ne duam që kjo gjakderdhje të ndalet. Evropa do të qëndrojë gjithmonë pranë Ukrainës, pavarësisht se çfarë ndodh në pjesë të tjera të botës", theksoi Fon der Lajen. ls/
Foto: Arkiv