• петок, 20 февруари 2026

Filloi muaji i shenjtë i Ramazanit

Filloi muaji i shenjtë i Ramazanit

Shkup, 23 mars 2023 (MIA) - Besimtarët e konfesionit islam sot në mëngjes e filluan agjërimin e Ramazanit, i cili do të zgjasë 29 ditë dhe përfundon më 20 mars. Gjatë agjërimit besimtarët që nga lindja e diellit e deri në përëndimin e diellit rezistojnë ushqimin dhe pijet.

Sipas religjionit islam, Ramazani është muaji kur ajetet e para të Kuranit iu shpallën Profetit Muhamed më shumë se 1.400 vjet më parë. Agjërimi, i cili është një nga shtyllat e islamit është i detyrueshëm për të gjithë besimtarët për pastrimin e tyre fizik dhe shpirtëror. Besimtarët duhet të rezistojnë fjalët dhe veprat e këqija me qëllim të pastrimit njerëzor. Agjërimi është detyrim fetar për çdo person të moshës madhore, besimtar mysliman i shëndoshë, por nuk është i detyrueshëm për të sëmurët, gratë shtatzëna dhe punëtorët të cilët bëjnë punë të rënda fizike.

Pas agjërimit të Ramazanit, më 20 mars është Bajrami i Ramazanit, i cili festohet tri ditë. Atëherë e gjithë familja grumbullohet në tryezën festive, ndërsa vizitohen familjarët dhe miqtë. Ramazani është muaji i nëntë i Kalendarit Islamik.

Dita e parë e Bajramit të Ramazanit është festë shtetërore dhe 20 mars (e premte) do të jetë ditë jopune për të gjithë qytetarët.

Në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit, kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul-Ulema H. ​​​​Hfz. Shaqir Efendi Fetai, dërgoi një mesazh në të cilin theksoi se Ramazani është një muaj në të cilin zemrat bëhen më të ndjeshme, ndërgjegjet më të mprehta dhe lidhja me Allahun më e thellë.

"Ramazani vjen si thirrje për qetësi të brendshme dhe për riorganizim të jetës sonë rreth asaj që është thelbësore. Qëllimi i agjërimit është devotshmëria. Devotshmëria është vetëdije e përhershme për Allahun, që e orienton njeriun në mendim, në fjalë dhe në veprim. Ajo është ndërgjegje morale që e mban njeriun të drejtë edhe kur është vetëm dhe të përgjegjshëm edhe kur askush nuk e sheh. Ramazani është shkollë e disiplinës dhe e karakterit. Kur përmbahemi nga ushqimi dhe pija – gjëra të lejuara – ne edukojmë vullnetin tonë dhe e forcojmë kontrollin mbi vetveten, që të përmbahemi edhe nga gjërat e ndaluara. Kjo vetëpërmbajtje duhet të shtrihet përtej aspektit fizik. Duhet të përfshijë gjuhën, sjelljen dhe marrëdhëniet tona", thotë ai në mesazhin. 

Fetai thekson se këtë muaj nuk mjafton që besimtarët të largohen vetëm nga ushqimi; por duhet të largohen edhe nga përçarja, shpifja dhe arroganca.

"Agjërimi synon transformimin e karakterit. Nuk mjafton të heshtë stomaku; duhet të heshtë edhe e keqja në ne. Nuk mjafton të largohemi nga ushqimi; duhet të largohemi nga përçarja, shpifja dhe arroganca. Përmes agjërimit, ne mësojmë mirënjohjen për begatitë që shpesh i marrim si të mirëqena, ndiejmë më afër hallet e atyre që janë në nevojë dhe forcojmë përgjegjësinë ndaj njëri-tjetrit. Bujaria, mëshira dhe ndihma ndaj atyre që kanë nevojë janë shprehje konkrete e besimit dhe e agjërimit", thotë kreu i BFI-së.

Në mesazhin thekson që ky Ramazan të jetë muaj pastrimi të zemrave, forcimi të besimit dhe ngritjeje morale për secilin prej nesh.

"Le ta fillojmë këtë Ramazan me vendosmëri për ndryshim të vërtetë. Le ta përdorim këtë muaj për pajtim me Allahun përmes pendimit të sinqertë dhe për pajtim me njëri-tjetrin përmes faljes dhe mirëkuptimit. Le ta bëjmë sinqeritetin themel të çdo veprimi dhe përgjegjësinë kriter të çdo vendimi. Lusim Allahun e Madhëruar që ky Ramazan të jetë muaj pastrimi të zemrave, forcimi të besimit dhe ngritjeje morale për secilin prej nesh. Që zemrat tona të pastrohen nga çdo barrë e panevojshme. Që familjet tona të mbushen me qetësi dhe mirëkuptim. Që Bashkësia jonë të forcohet në unitet dhe përgjegjësi institucionale. Që vendi ynë të begatohet me paqe, drejtësi dhe stabilitet. Andaj, në prag të fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit, kam kënaqësinë dhe nderin që, në emër të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të gjitha institucioneve të saj, si dhe në emrin tim personal, t’ju uroj nga zemra besimtarëve tanë në vendlindje dhe në mërgim një Ramazan të begatë, agjërim të lehtë dhe të pranuar, si dhe një muaj që do të lërë gjurmë të thella në shpirtin, karakterin dhe jetën tonë, duke na afruar më shumë me Allahun dhe duke na bashkuar më fort në mirësi, drejtësi dhe përgjegjësi. Për hajr na qoftë ardhja e muajit të Ramazanit. Allahu ju bekoftë", thuhet në mesazhin e kreut të BFI-së, Fetai. ls/

 

Фото: МИА

 

Остани поврзан