• сабота, 21 февруари 2026

Fillkov: Kërkesat e BDI-së janë tema nacional-romantike nga shekulli i kaluar

Fillkov: Kërkesat e BDI-së janë tema nacional-romantike nga shekulli i kaluar

Shkup, 12 shkurt 2026 (MIA) - Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, sot dha përgjigje ndaj njoftimeve të BDI-së se do të kërkonin përgjegjësinë e tij penale për shkak të pamundësisë që testi gjyqësor të kryhet në gjuhën shqipe. Ai vlerësoi se kërkesat e tilla janë "tematika nacional-romantike" që, siç tha, i përkasin politikanëve "nga shekulli i kaluar". 

"Mendoj se temat nacional-romantike janë të rëndësishme për ata politikanë të shekullit të kaluar. Siç thashë, ne punojmë me qartësi dhe vendosmëri për stabilitet, prosperitet dhe sundimin e së drejtës, ndërsa gjithçka tjetër do të mbetet në anën e trishtë të historisë", deklaroi ministri pas seancës së 18-të të grupit të punës 3 - Drejtësia dhe të drejtat themelore (Kapitulli 23) në kuadër të Konventës Kombëtare për BE që po mbahet sot. 

Në lidhje me deklaratën e liderit të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, se ministri i Drejtësisë mund të jetë ndër funksionarët që do të preken nga rikonstruksioni i qeverisë, Fillkov u përgjigj se sundimi i së drejtës do të vlejë për të gjithë. 

"Kur Bilall Kasami të bëhet kryeministër, atëherë ai do të thotë kush do të jetë ministër, e kush jo. Deri atëherë, sundimi i së drejtës dhe respektimi i Kushtetutës do të vlejë për të gjithë", tha Fillkov. 

I pyetur nëse janë të mundshme ndryshimet ligjore lidhur me kryerjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, ministri u përgjigj shkurt se "aktualisht një mundësi e tillë nuk ekziston". 

Në pyetjen se ku dështojmë, pasi raportet tregojnë se korrupsioni në vendin tonë është i madh, Fillkov theksoi se pret që "zgjidhjet e reja ligjore shumë shpejt të sjellin përparim". qa/

Foto: MIA

Остани поврзан