• вторник, 24 февруари 2026

Filkov: Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë duhet të thërrasin urgjentisht seanca dhe të përcaktojnë nëse ekziston bazë për përgjegjësi te gjykatësi dhe prokurori publik për arrestin shtëpiak të Grubit

Filkov: Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë duhet të thërrasin urgjentisht seanca dhe të përcaktojnë nëse ekziston bazë për përgjegjësi te gjykatësi dhe prokurori publik për arrestin shtëpiak të Grubit

Shkup, 24 shkurt 2026 (MIA) - Ministri i Drejtësisë Igor Filkov sot u bëri thirrje publikisht të gjithë atyre që janë përgjegjës për përcaktimin e arrestit shtëpiak për ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi, duke theksuar se përgjegjësia për një vendim të tillë duhet të gjendet me emër dhe mbiemër. Ai i bëri thirrje Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë që urgjentisht të thërrasin seanca, ta shqyrtojnë këtë rast dhe të përcaktojnë nëse ka bazë për përgjegjësi nga ana e gjyqtarit dhe prokurorit publik. Ai shtoi se kontrolli institucional duhet të funksionojë dhe askush nuk duhet të përjashtohet nga përgjegjësia.

Ministri Filkov vuri në dukje se bëhet fjalë për një person të dyshuar për përvetësim prej mbi tetë milionë euro, i cili 14 muaj ishte në arrati, për të cilin është përcaktuar rrezik nga arratisja, e cila edhe është realizuar. 

"Ministria e Drejtësisë nuk do të jetë dëshmitare e heshtur kur besimi në sistemin ligjor destabilizohet. Ministria e Drejtësisë nuk do të qëndrojë mënjanë kur opinioni me të drejtë kërkon përgjigje. Deri më tani, si Ministër i Drejtësisë, duke respektuar parimin e ndarjes së pushteteve, nuk kam komentuar asnjëherë për vendime specifike gjyqësore dhe prokuroriale. Ky është një parim. Ky është themeli i sundimit të ligjit. Por sot po dëshmojmë një skandal që nuk guxon dhe nuk duhet të heshtet. Ky është një person i dyshuar për përvetësim prej mbi tetë milionë euro. Një person që ka qenë në arrati për 14 muaj. Një person për të cilin është përcaktuar rreziku i arratisjes, një rrezik që është bërë realitet. Dhe për më pak se një ditë, ajo masë zëvendësohet me arrest shtëpiak. Ky nuk është vetëm një vendim procedural. Kjo është një provë për të gjithë sistemin. Përgjegjësia për një vendim të tillë duhet të gjendet me emër dhe mbiemër", tha ministri në konferencën e sotme për shtyp.

Ai kërkoi sqarime nga Prokurori Publik Daniel Kocev, udhëheqësi i Prokurorisë Anel Fidoski dhe gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, Marin Stanevski.

"U bëj thirrje publikisht të gjithë aktorëve në procedurë të japin një shpjegim. Prokurori Publik Daniel Kocev, të shpjegojë, mbi bazën e të cilave fakte dhe argumente specifike ligjore është dhënë mendim pozitiv për zëvendësimin e paraburgimit. Udhëheqësi i Prokurorisë Anel Fidoski- a qëndron pas këtij vendimi dhe a beson se ky është një mesazh për zbatim të barabartë të ligjit. Gjykatësi në procedurë paraprake në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit, Marin Stanevski, cilat rrethana e tejkalojnë rrezikun e arratisjes te një person që ka qenë i padisponueshëm tashmë 14 muaj. Kur bëhet fjalë për një hetim për përvetësim prej mbi tetë milionë euro, kur kishte rrezik arratisjeje - gjë që ndodhi - çdo vendim për lehtësimin e masës duhet të jetë i qartë si kristali dhe i padiskutueshëm ligjërisht. Përndryshe, lindin dyshime serioze për selektivitetin", theksoi ministri.

Grubit dje iu dha masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh me mbikëqyrje 24-orëshe pas vendimit të gjykatësit në procedurën paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup. Ai dyshohet për përvetësim në "Lotarinë Shtetërore", me ç'rast së bashku me Përparim Bajramin dyshohen për "shpërdorim prej tetë milionë euro" përmes një porosie të aparateve VLT.  Grubi u arrestua dje në vendkalimin kufitar Bllacë. ls/

Foto: MIA

 

Остани поврзан