Filipçe: LSDM nuk ka frikë nga asnjë procedurë, kushdo që ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi
- Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi sonte se me kthimin e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, i cili është në arrest shtëpiak dhe dyshohet për keqpërdorime, është rrënuar sistemi juridik dhe se LSDM-ja nuk ka frikë nga ajo që mund të thotë Grubi.
Shkup, 25 shkurt 2026 (MIA) - Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi sonte se me kthimin e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, i cili është në arrest shtëpiak dhe dyshohet për keqpërdorime, është rrënuar sistemi juridik dhe se LSDM-ja nuk ka frikë nga ajo që mund të thotë Grubi.
Filipçe në intervistë në “Tema e ditës” në TV Sitel tha se LSDM-ja nuk ka frikë nga asnjë procedurë dhe se çdo kush që ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi.
Kushdo që ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi. Pavarësisht se cilës parti politike i përket. Por marrëveshje të tilla politike të montuara dhe të dakorduara nuk sjellin besim në sistemin gjyqësor", tha kryetari i LSDM-së.
Sipas tij, frikë ndiejnë qytetarët sepse e kanë humbur besimin se kjo qeveri mund të realizojë atë që duhet, tha Filipçe, duke shtuar se qytetarët presin reforma dhe drejtësi të vërtetë.
Ai theksoi se nga mënyra si ishte zbatuar, është e qartë se ka pasur marrëveshje. "Të gjithë e panë çfarë ndodhi në vendkalimin kufitar Bllacë. Atë mëngjes në shtet ndodhi rrënimi i sistemit juridik, ndodhi humbja e plotë e besimit të të gjithë qytetarëve. U shfaq një i arratisur që është në listë, persona që kërkohen në shtet, u paraqit në mënyrë elegante, të qetë, me syze dhe me buzëqeshje, iu vunë prangat nga persona që kishin ardhur më parë, policë, jo policët që punojnë në vendkalimin kufitar, kishte kamerë që e incizonte gjithë atë ngjarje, e vetmja gjë që mungonte ishte tapeti i kuq”, tha Filipçe.
Kryetari i LSDM-së tha se kryeministri Hristijan Mickoski kishte premtuar drejtësi dhe kishte deklaruar se BDI janë kriminelë, por se “janë dakorduar me Artan Grubin”. Ngjarjet në vendkalimin kufitar “Bllacë”, sipas Filipçes, përfaqësojnë një goditje serioze ndaj sistemit juridik dhe mënyra se si u zhvillua kthimi i Artan Grubit hap dyshime serioze në opinion.
Lidhur me vendimin për arrest shtëpiak, ai theksoi se ka kontradikta mes institucioneve. "Doli një kumtesë nga Prokuroria se lirimi në arrest shtëpiak është bërë pas ndërhyrjes dhe sugjerimit të ASK-së dhe MPB-së, pastaj doli drejtori i burgut i cili tha se as ASK-ja, as MPB-ja nuk kanë ardhur dhe nuk kanë bërë vlerësim. Kjo nuk ka ndodhur. Është e qartë se ka marrëveshje. Kujt i keni parë t’i vihen prangat me buzëqeshje?”, tha Filipçe.
Në intervistë ai akuzoi për një gjyqësor të partizuar, me të cilin, siç tha, nuk mund të sigurohet drejtësi e vërtetë. ls/
Foto: LSDM