• сабота, 21 февруари 2026

Fetai: Bashkimi i VLEN-it do të jetë hap gjigant, ne jemi ASH-ja shumicë

Fetai: Bashkimi i VLEN-it do të jetë hap gjigant, ne jemi ASH-ja shumicë

Shkup, 20 shkurt 2026

Zëvendëskryeministri dhe njëri nga liderët e VLEN, Arben Fetai në emisionin “Debat në Shenja” ka thënë se koalicioni VLEN nuk ka qenë kurrë më i bashkuar se tani. Ai tha se unifikimi i VLEN-it do të jetë një hap gjigant.

“Gjatë javëve të fundit kemi pasur takime intensive për të shkuar drejt shkrirjes, drejt një subjekti dhe krijimi të një partie VLEN. Ky është një hap i madh dhe nëse ndodh kjo, do të ishte një hap gjigant, që është në përputhje edhe me vullnetin popullor të shprehur edhe me votë”, tha Fetai.

Ai tha se janë tre drafte të cilat kanë qarkulluar, apo disa modele sa i përket lidershipit, është çështje për të cilën janë duke vazhduar të bisedimet.

“Kemi diskutuar edhe për parimet e organizimit, strukturimit, ndarjes së përgjegjësive, ku vazhdon të vlejë parimi i barabarësisë që e kemi marrë në fillim, në strukturim në përgjegjësi dhe në obligime”, tha Fetai.

I pyetur se kur do të bëj parti politike, Fetai tha se nuk ka bërë asnjë lëvizje në atë drejtim, sepse siç thotë, “beson se VLEN do të bëhet një parti e vetme politike”.

“Ne jemi Aleancë brenda koalicionit VLEN, vazhdojmë të thirremi Aleancë, sepse jemi Aleancë, jemi struktura, jemi shumica e anëtarësisë së ASH-së”, ka thënë Fetai.

Kërkesat e drejtorëve të Inspektorateve janë legjitime

Zëvendëskryeministri dhe njëri nga liderët e VLEN, Arben Fetai në emisionin “Debat në Shenja” ka thënë se kërkesat e drejtorëve të Inspektorateve janë legjitime, pasi sot ata reaguan kundër ministrit Minçev duke e akuzuar për përjashtim të qëllimshëm të gjuhës shqipe nga proceset institucionale.

Sipas Fetait, partia ZNAM është shquar për qasje të politikave ditore, se sa të respektojë kushtetutën dhe ligjet.

“Sot ka ndodhur një incident dhe në shenjë proteste, drejtorët e Inspektorateve të udhëhequr nga kuadro të VLEN kanë lëshuar mbledhjen, sepse ministri Minçev të njëjtën e ka udhëhequr në gjuhën maqedone dhe me dokumentet që kanë qenë në gjuhën maqedone, jo edhe në dy gjuhë, siç parasheh Kushtetuta dhe ligji për mbikëqyrje inspektuese”, ka thënë Fetai.

Fetai tha se ka parë reagimin që u raportua në media, por shton se si koalicion VLEN qëndrojnë mbrapa drejtorëve të Inspektorateve.

“Vlerësojmë se kërkesat e tyre janë legjitime bazuar në ligj dhe kushtetutën e vendit dhe besoj se shumë shpejt Këshilli i inspektorateve do të mblidhet, do miratohet rregullorja e punës në dy gjuhë dhe do të zbatohen kërkesat e drejtorëve të Inspektorateve që udhëhiqen nga kuadrot e VLEN”, ka thënë zëvendëskryeministri Fetai.

Turp ju qoftë 7 ministrave shqiptarë të Drejtësisë që nuk e zgjidhën çështjen e provimit të jurisprudencës

Zëvendëskryeministri dhe njëri nga liderët e VLEN, Arben Fetai në emisionin “Debat në Shenja” lidhur me provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe tha se kjo çështje është dashur të zgjidhet që para 20 viteve, derisa BDI ishte në qeveri, por që nuk e ka bërë.

“Nga viti 2002 e këndej kemi pasur 7 ministra shqiptarë të Drejtësisë, pse nuk e kanë zgjidhur ata çështjen e provimit të jurisprudencës, këtë pyetje duhet bërë, jo t’i dëgjojmë duket na shitur mend ato ministra”, tha Fetai.

Ai pyet se a është normale që në vitin 2026 të merremi me një çështje kaq të vogël, kur kemi Kushtetutë dhe ligje që vendosin dygjuhësinë.

“Turp ju qoftë atyre 7 ministrave të Drejtësisë që nuk e kanë rregulluar atë çështje, edhe në emër të studentëve. Z.Fillkov ka bërë deklaratën e tij, deri diku janë të ndikuara politikisht, tenton të poentojë si parti, por ne jemi tashmë bashkë me kryeministrin, bashkë edhe me ministrinë e Drejtësisë në proces të arritjes së një marrëveshje për një zgjidhje që edhe provimi i jurisprudencës të bëhet edhe në gjuhën shqipe”, ka nënvizuar zv/kryeministri Fetai.

VLEN

Тагови

Остани поврзан