• сабота, 21 февруари 2026

Evropianët po kthehen masivisht kundër Amerikës

Evropianët po kthehen masivisht kundër Amerikës

Londër, 6 shkurt 2026 (MIA) - Evropianët perëndimorë e vlerësojnë gjithnjë e më shumë autonominë evropiane dhe vlerën e lidhjeve transatlantike dhe nuk kanë ndërmend t'i braktisin ato për të kënaqur Donald Trampin, tregon një anketë, duke sugjeruar se opinioni për SHBA-në ka rënë në nivelin më të ulët në dekadën e fundit që kur "YouGov" filloi të kryejë sondazhe të tilla.

Përpjekja e presidentit amerikan për ta marrë Grenlandën i ka kthyer fuqishëm evropianët kundër vendit të tij, me çka një shumicë e madhe në Danimarkë, Francë, Gjermani, Itali, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar shprehën pikëpamje negative, raporton "Gardian".

Shifrat të cilat sillen nga 62% në Francë deri në 84% në Danimarkë e cila zotëron Grenlandën, shënojnë një rritje të mëtejshme të ndjeshme të perceptimeve negative për SHBA-në.

Sondazhi tregoi gjithashtu se një numër në rritje i evropianëve nuk e konsiderojnë më SHBA-në një komb miqësor, me çka gjashtë vendet raportojnë një rënie në numrin e të anketuarve që ende e shohin atë si një aleat.

Danimarka, ku pikëpamjet negative për Shtetet e Bashkuara janë rritur më shumë, ka parë gjithashtu ndryshimin më të madh në këtë fushë: në korrik 2023, 80% e danezëve thanë se e konsideronin SHBA-në një mik ose aleat. Sot, më pak se 26% mendojnë kështu.

Anketa zbulon se evropianët pajtohen në masë të madhe me diagnozën e administratës Tramp se Evropa është mbështetur shumë te SHBA për mbrojtje (59-74% e të anketuarve pajtohen), ka lejuar shumë imigracion (52-63%) dhe ka qenë shumë e pavendosur në skenën botërore (45-62%).

Megjithatë, ata nuk pajtohen fuqimisht me pretendimet e përsëritura të SHBA-së se qeveritë evropiane janë shumë kufizuese ndaj lirisë së fjalës (vetëm 18-31% pajtohen), ndërsa edhe më pak ndajnë pikëpamjen e Trampit se BE-ja ka qenë e padrejtë në marrëdhëniet e saj tregtare me SHBA-në (10-17%).

Ndërsa, disa liderë politikë evropianë i kanë bërë thirrje BE-së të përdorë fuqinë e saj të konsiderueshme ekonomike në marrëdhëniet e saj me SHBA-në, anketa zbuloi se shumica e të anketuarve besojnë se SHBA është ekonomikisht, diplomatikisht dhe ushtarakisht më e fortë se Evropa.

Për më tepër, midis 63 dhe 78% e të anketuarve besojnë se mbrojtja dhe paqja evropiane ende varen nga SHBA dhe midis 49 dhe 64% e ndjejnë të njëjtën gjë kur bëhet fjalë për prosperitetin e kontinentit. Shumica, siç parashikohet, mendojnë se një ndërprerje e marrëdhënieve midis BE-së dhe SHBA-së do të ishte e keqe për Evropën.

Të anketuarit në Mbretërinë e Bashkuar, Danimarkë, Francë dhe Gjermani - por jo në Spanjë apo Itali - do të ishin të gatshëm të rrisnin shpenzimet kombëtare të mbrojtjes për të mbajtur SHBA-në në anën e tyre, ndërsa danezët dhe britanikët janë poashtu të gatshëm të rrisin ndjeshëm ndihmën për Ukrainën.

Nga ana tjetër, ekziston një mbështetje e gjerë në rast të një përkeqësimi të marrëdhënieve BE-SHBA për një integrim më të madh politik në Evropë, më çka BE-ja do të marrë kompetenca dhe kapacitet vendimmarrës më të madh. Midis 46 dhe 63% e të anketuarve mbështesin një kurs të tillë, dukshëm më shumë se ata që e kundërshtojnë atë.

Foto: arkiv

 

 

Тагови

Остани поврзан