Dy tankerë goditen në Ngushticën e Hormuzit, sulme të reja ndaj bazave amerikane në Katar, Kuvajt dhe Irak
- Dy tankerë janë goditur nga raketa të panjohura në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa janë raportuar sulme të reja ndaj bazave ushtarake amerikane në Katar, Kuvajt dhe Irak, në mes të një përshkallëzimi të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Londër, 11 mars 2026 (MIA) - Dy tankerë janë goditur nga raketa të panjohura në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa janë raportuar sulme të reja ndaj bazave ushtarake amerikane në Katar, Kuvajt dhe Irak, në mes të një përshkallëzimi të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Shërbimi britanik për operacione tregtare detare (UKMTO) njoftoi se sot edhe një anije mallrash u qëllua me raketë të panjohur në Ngushticën e Hormuzit, pas së cilës një zjarr shpërtheu në anije.
Ekuipazhi u evakuua dhe anija kërkoi ndihmë, raporton gazeta britanike "Gardian". Ende nuk dihet se kush e gjuajti raketën.
Më parë, një tjetër anije mallrash në Ngushticën e Hormuzit u godit nga një raketë e panjohur rreth 46 kilometra larg bregdetit të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Anija pësoi dëme, por të gjithë anëtarët e ekuipazhit janë të sigurt dhe kanë marrë trajtim mjekësor, ndërsa UKMTO nuk dha detaje të mëtejshme.
Shërbimi më parë u bëri thirrje të gjitha anijeve që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit të qarkullojnë me "kujdes të shtuar".
Për shkak të luftës midis SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, Ngushtica e Hormuzit është praktikisht e mbyllur për trafik.
Është një nga rrugët detare më të rëndësishme në botë për transportin e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm. sa/
foto: arkivi