Dr. Poceva Panovska dhe dr. Dimkovski në luftë me sëmundjen e Alchajmerit: Në vend të një molekule për një qëllim, krijuam një molekulë për më shumë qëllime
- Kemi zhvilluar një gjeneratë të re molekulash hibride, përkatësisht 21 përbërje të reja, të cilat mund të përdoren në trajtimin e çrregullimeve dhe sëmundjeve që lidhen me mungesën e acetilkolinës, duke përfshirë përmirësimin e funksioneve njohëse tek sëmundja e Allchajmerit dhe gjendje të tjera me çrregullim të acetilkolinës në sistemin nervor qendror, deklarojnë në një intervistë për MIA prof. dr. Ana Poceva Panovska dhe doc. dr. Aleksandar Dimkovski nga Fakulteti i Farmacisë në Shkup.
Shkup, 24 prill 2026 (MIA)
Kemi zhvilluar një gjeneratë të re molekulash hibride, përkatësisht 21 përbërje të reja, të cilat mund të përdoren në trajtimin e çrregullimeve dhe sëmundjeve që lidhen me mungesën e acetilkolinës, duke përfshirë përmirësimin e funksioneve njohëse tek sëmundja e Allchajmerit dhe gjendje të tjera me çrregullim të acetilkolinës në sistemin nervor qendror, deklarojnë në një intervistë për MIA prof. dr. Ana Poceva Panovska dhe doc. dr. Aleksandar Dimkovski nga Fakulteti i Farmacisë në Shkup.
Ata theksojnë se kanë kombinuar tre struktura biologjikisht aktive: kumarinën, 1,2,3-triazolin dhe izatinën, në një molekulë të vetme dhe se kjo qasje mundëson krijimin e të ashtuquajturve agjentë multi-target, pra molekula që mund të veprojnë njëkohësisht në disa pika të synuara të rëndësishme për zhvillimin e sëmundjes.

"Rëndësia e kësaj është veçanërisht e madhe tek sëmundjet komplekse si sëmundja e Allchajmerit, ku patofiziologjia nuk është e thjeshtë dhe përfshin disa procese biologjike. Në vend të “një molekule për një qëllim”, farmaceutika moderne gjithnjë e më shumë po lëviz drejt “një molekule për disa qëllime”, gjë që e bën qasjen tonë moderne dhe relevante. Përbërjet tona veprojnë përmes inhibimit të dy enzimave kyç – acetilkolinesterazës (AChE) dhe butirilkolinesterazës (BuChE), të cilat e zbërthejnë acetilkolinën. Me inhibimin e tyre, rritet përqendrimi i acetilkolinës në sinapse, gjë që mund të çojë deri te përmirësimi i funksioneve kognitive", theksojnë prof. dr. Poceva Panovska dhe doc. dr. Dimkovski.

Duke pasur parasysh se hulumtimi i tyre hap perspektiva të reja në zhvillimin e terapive për sëmundjet neurodegjenerative dhe vendos bazë për arritje të ardhshme shkencore dhe teknologjike, ata theksojnë se ky sukses përfaqëson një shtysë për investime të mëtejshme në kërkimin shkencor dhe zhvillimin e inovacioneve brenda komunitetit akademik.
"Pritet që këto rezultate të kontribuojnë në rritjen e dukshmërisë ndërkombëtare të shkencës maqedonase dhe të hapin mundësi për bashkëpunime të reja me partnerë kërkimorë dhe industrialë. Ky sukses tregon qartë se me dije, përkushtim dhe vizion, idetë shkencore mund të transformohen në zgjidhje me potencial për zhvillim dhe zbatim në të ardhmen. Aktualisht, hulumtimi ynë është në fazë paraklinike. Hapat e ardhshëm janë të përqendruar në thellimin dhe zgjerimin e kërkimit. Qëllimi përfundimtar është që këto përbërje të kalojnë nga rezultate laboratorike në një opsion real terapeutik për pacientët", shtojnë prof. dr. Poceva Panovska dhe doc. dr. Dimkovski.

Ju, prof. dr. Ana Poceva Panovska dhe doc. dr. Aleksandar Dimkovski nga Fakulteti i Farmacisë në Shkup, keni zhvilluar molekula të reja me potencial në trajtimin e çrregullimeve dhe sëmundjeve, ndër të cilat edhe sëmundjen e Allchajmerit. Për çfarë bëhet fjalë, çfarë përfaqëson zbulimi juaj dhe pse është i rëndësishëm?
Kemi zhvilluar një gjeneratë të re molekulash hibride, përkatësisht 21 përbërje të reja që kanë potencial për përdorim në trajtimin e çrregullimeve dhe sëmundjeve të lidhura me mungesën e acetilkolinës, duke përfshirë përmirësimin e funksioneve njohëse tek sëmundja e Allchajmerit, si dhe gjendje të tjera të karakterizuara nga çekuilibri i acetilkolinës në sistemin nervor qendror.
Këto molekula janë konceptuar duke përdorur parimet e dizajnit racional të barnave. Kjo qasje bazohet në integrimin e argumentuar shkencërisht të fragmenteve të ndryshme strukturore, përkatësisht farmakoforëve me relevancë biologjike të njohur, në një arkitekturë të vetme molekulare, me qëllim të arritjes së një profili farmakologjik të përmirësuar, selektiviteti më të madh dhe aktiviteti biologjik të dëshiruar. Konkretisht, ne kombinuam tre struktura biologjikisht aktive: kumarinën, 1,2,3-triazolin dhe izatinën, në një molekulë të vetme. Kjo qasje mundëson krijimin e të ashtuquajturve agjentë multi-target, pra molekula që mund të veprojnë njëkohësisht në disa pika të synuara të rëndësishme për zhvillimin e sëmundjes. Rëndësia e kësaj është veçanërisht e madhe tek sëmundjet komplekse si sëmundja e Allchajmerit, ku patofiziologjia nuk është e thjeshtë dhe përfshin disa procese biologjike. Në vend të “një molekule për një qëllim”, farmaceutika moderne gjithnjë e më shumë po lëviz drejt “një molekule për disa qëllime”, gjë që e bën qasjen tonë moderne dhe relevante.

Si mund të ndihmojnë këto molekula tek pacientët me sëmundjen e Allchajmerit?
Sëmundja e Allchajmerit lidhet me nivele të ulëta të acetilkolinës në tru, gjë që ndikon drejtpërdrejt në funksionet njohëse si kujtesa, vëmendja dhe proceset e të nxënit. Përbërjet tona veprojnë përmes inhibimit të dy enzimave kyç – acetilkolinesterazës (AChE) dhe butirilkolinesterazës (BuChE), të cilat e zbërthejnë acetilkolinën. Me inhibimin e tyre, rritet përqendrimi i acetilkolinës në sinapse, gjë që mund të çojë në përmirësimin e funksioneve njohëse. Veçanërisht e rëndësishme është se përbërjet tona kanë potencial të veprojnë mbi të dy enzimat. Gjatë progresionit të sëmundjes, roli i BuChE bëhet gjithnjë e më i theksuar, prandaj ky efekt i dyfishtë mund të jetë një avantazh në krahasim me terapitë konvencionale.

Çfarë e bën këtë zbulim të ndryshëm nga barnat ekzistuese?
Barnat ekzistuese për sëmundjen e Allchajmerit zakonisht fokusohen në një objektiv biologjik, më së shpeshti në acetilkolinesterazën. Qasja jonë është e ndryshme sepse përdor konceptin e molekulave hibride me veprim polifarmakologjik. Me kombinim të disa farmakoforëve në një strukturë të vetme, potencialisht arrijmë aktivitet më të lartë, selektivitet të përmirësuar, efekt sinergjik ndërmjet pjesëve të ndryshme të molekulës dhe mundësi për një profil më të mirë farmakokinetik.
Për më tepër, molekulat tona janë dizajnuar mbi bazën e përbërjeve të njohura aktive (si donepezili), por me modifikime strukturore që synojnë të përmirësojnë efikasitetin dhe ndërveprimin e tyre me enzimat.

Sa i rëndësishëm është ky zbulim, gjgj. ky hulumtim për shkencën maqedonase?
Kjo dërgon një mesazh të fuqishëm se kërkimet shkencore në Maqedoni kanë potencial të rezultojnë në inovacione konkurruese në nivel ndërkombëtar.
Shpresojmë që kjo të motivojë edhe studiues të tjerë të mendojnë në drejtim të transferimit të teknologjisë dhe mbrojtjes së pronësisë intelektuale.

Në cilën fazë është hulumtimi dhe kur mund të pritet zbatimi praktik?
Aktualisht, hulumtimi ynë është në fazë paraklinike. Kjo do të thotë se përbërjet janë sintetizuar, janë karakterizuar në aspektin strukturor dhe aktiviteti i tyre biologjik është testuar eksperimentalisht në kushte laboratorike. Rezultatet tregojnë se disa përbërje kanë aktivitet të konsiderueshëm inhibitor, gjë që është një tregues i mirë për zhvillim të mëtejshëm.
Megjithatë, rruga nga laboratori deri te ilaçi është e gjatë dhe përfshin shumë më tepër, përkatësisht testime plotësuese farmakologjike dhe toksikologjike, modele paraklinike, studime klinike dhe miratime rregullatore. Prandaj, edhe pse rezultatet janë premtuese, nevojitet kohë dhe bashkëpunim me industrinë për të arritur në një produkt përfundimtar.

Cilat janë hapat e ardhshëm për zhvillimin e këtij zbulimi?
Hapat e ardhshëm janë të orientuar drejt thellimit dhe zgjerimit të hulumtimit. Tashmë po punojmë në optimizimin e mëtejmë të strukturës së molekulave, në testime të zgjeruara biologjike për të konfirmuar efikasitetin e tyre, studimin e vetive farmakokinetike (absorbimi, shpërndarja, metabolizmi), si dhe analiza të mundshme toksikologjike.
Paralelisht, një aspekt shumë i rëndësishëm është vendosja e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe partneriteteve me industrinë farmaceutike, të cilat do të mundësonin zhvillimin e mëtejmë dhe komercializimin e mundshëm. Qëllimi përfundimtar është që këto përbërje të kalojnë nga rezultate laboratorike në një opsion real terapeutik për pacientët.
Foto: Darko Popov