Dr. Pejkova dhe dr. Arsеnkov për MIA-n: Për herë të parë në Maqedoni dhe në botë u realizua ndërhyrje rekonstruktive ku një pacienti i vendoset hundë e punuar me implant të printuar 3D
- Ndërhyrja më e fundit e realizuar me teknologji të avancuar është dëshmi se Maqedonia po ndjek trendet botërore, madje në disa procedura operative edhe po prin në botë. Rasti i fundit është rekonstruksioni i hundës me një implant të personalizuar të printuar 3D tek një pacient që e kishte humbur hundën për shkak të një sëmundjeje malinje. Me këtë ndërhyrje të realizuar muajin e kaluar në Klinikën Universitare për Kirurgji Plastike në Shkup, cilësia e jetës së tij është përmirësuar ndjeshëm, para së gjithash falë entuziazmit dhe inovacionit të mjekëve dr. Sofija Pejkova dhe dr. Stefan Arsеnkov.
Shkup, 4 maj 2026 (MIA)
Neda Dimova Prokiq
Ndërhyrja më e fundit e realizuar me teknologji të avancuar është dëshmi se Maqedonia po ndjek trendet botërore, madje në disa procedura operative edhe po prin në botë. Rasti i fundit është rekonstruksioni i hundës me një implant të personalizuar të printuar 3D tek një pacient që e kishte humbur hundën për shkak të një sëmundjeje malinje. Me këtë ndërhyrje të realizuar muajin e kaluar në Klinikën Universitare për Kirurgji Plastike në Shkup, cilësia e jetës së tij është përmirësuar ndjeshëm, para së gjithash falë entuziazmit dhe inovacionit të mjekëve dr. Sofija Pejkova dhe dr. Stefan Arsеnkov.
Për mënyrën se si u zhvillua e gjithë procedura, rikuperimi i pacientit dhe çfarë ishte e nevojshme për realizimin e kësaj ndërhyrjeje, për herë të parë në Maqedoni, por edhe në rajon dhe më gjerë, biseduam me dr. Pejkova dhe dr. Arsenkov, të cilët shpjeguan në detaje se si erdhi kontakti i parë dhe ideja për të krijuar një implant të personalizuar 3D të hundës.
Dr. Pejkova për MIA tregoi se si nisi e gjithë historia dhe kontakti me dr. Arsenkov, i cili është një nga themeluesit e 3D Loom, një startap që po ndryshon kirurgjinë me modelimin 3D.
– Gjithçka filloi me pacientin. Unë jam kirurge plastike në Klinikën Universitare për Kirurgji Plastike, ku merrem me kirurgji rekonstruktive. Tek ne kirurgjia plastike përfshin një patologji shumë të gjerë, ndër të cilat janë edhe ndryshimet malinje të lëkurës. Në këtë rast bëhej fjalë për një pacient që kishte një ndryshim malinj në dorsumin e lëkurës, pra në hundë, që përfshinte pothuajse të gjithë sipërfaqen e dukshme. Por puna jonë e parë, kur kemi një neoplazmë malinje, është të jemi radikalë, pra ta heqim të gjithë ndryshimin në ind të shëndetshëm. Pastaj vjen çështja se çfarë baze defekti do të kemi dhe cilat do të jenë procedurat rekonstruktive, shpjegon dr. Pejkova.
Ajo theksoi se për shkak se pacienti ishte në fazë të avancuar të sëmundjes, e vetmja mundësi për të si pacient dhe për ne si kirurgë ishte heqja e plotë e hundës.
– Në këtë ia dolëm. Morëm verifikim histopatologjik që kemi arritur kufij plotësisht të shëndetshëm, por kishim një pacient pa hundë. Dhe këtu filloi e gjithë historia, thotë dr. Pejkova.

Ajo shtoi se ekzistojnë shumë procedura për rekonstruksionin e hundës, por ajo është një strukturë shumë komplekse e fytyrës sonë dhe na bën të jemi të veçantë dhe unikë, duke na dhënë një karakteristikë të veçantë në dukje.
– Ka formë 3D dhe është komplekse si nga aspekti i strukturës ashtu edhe i konfigurimit. Ka pjesë kërcore, pjesë kockore që është baza e hundës dhe më pas mbulesën e indeve të buta, pra atë që ne shohim, por jo vetëm nga jashtë, edhe nga brenda. Siç kemi mukozën që na mundëson të marrim frymë dhe të flasim lehtë, kështu që është një strukturë shumë komplekse dhe një sfidë e madhe për rekonstruksion, shpjegon dr. Pejkova.
Doktoresha thotë se në kirurgjinë rekonstruktive ka shumë opsione, por duhet zgjedhur më idealja, apo më optimalja për pacientin.
– Mund të merret kërc nga veshi, mund të merret pjesë nga brinja që duhet të modelohet për të krijuar bazën që do të mbajë strukturat e indeve të buta. Por unë jam prej kohësh në kirurgjinë plastike dhe për mua kjo kurrë nuk ka qenë zgjidhja optimale. Gjithmonë mund të bëhet më mirë. Pikërisht këtë ua them edhe specializantëve dhe studentëve të mi – gjithmonë duhet të synojmë drejt më optimales që mund të arrijmë, thotë dr. Pejkova.
Ajo shton se me dr. Arsenkovin e lidhën studentët, për të cilët thotë se janë shumë entuziastë dhe frymëzues, dhe se është krenare që ka një gjeneratë të tillë. Më pas ata hynë në kontakt, ajo ia tregoi gjithë historinë e pacientit dhe ia paraqiti fotografitë, pas së cilës dr. Arsenkov i tha se ishte një sfidë, por e realizueshme.
– Ne u lidhëm përmes studentëve, në emër të pacientëve. Kisha një ligjëratë për studentët dhe pyetja e parë që ua bëj është: çfarë është për ju kirurgjia plastike? E dini cili është përgjigjja? Botoks. U thashë – sinqerisht jam e zhgënjyer. Duhet të flasim më shumë me ta, të investojmë dhe t’i drejtojmë, sepse – siç ua shpjegova – ne me Stefanin kemi pacientë, ndërsa ata që merren me botoks, filler etj., kanë klientë, thotë ajo.

Implanti është punuar për disa muaj derisa u arrit rezultati i dëshiruar
Dr. Stefan Arsenkov, specialist i kirurgjisë abdominale në Spitalin Universitar “Shën Naumi i Ohrit” dhe një nga themeluesit e 3D Loom, tregon për MIA, se procesi filloi që në momentin e parë kur dr. Pejkova e kontaktoi në telefon. Ishte nder për të, thotë ai, që profesoresha donte të diskutonte me të për një rast kaq kompleks.
– Ishte vërtet një sfidë e madhe dhe më interesantja është se në momentin kur u dëgjuam, unë realisht nuk e dija si do ta realizonim të gjithë këtë. I thashë profesoreshës se as nuk kisha lexuar dhe as kisha parë se si bëhet kjo. Prandaj i thashë se do të duhet të bëjmë hulumtime, prova dhe do të na duhen disa variante derisa të arrijmë në diçka që ia vlen të prezantohet. Rreth dhjetë tentativa, tha dr. Arsenkov.
Ai shpjegoi se procesi zgjati nga shtatori i vitit të kaluar deri në shkurt të këtij viti, ku muajt e parë ishin procese teknike dhe teknologjike, ndërsa më pas rezultati i arritur u rafinua derisa u bë i përshtatshëm për t’u implantuar te pacienti.
– I gjithë procesi zgjati. Ishte intensiv dhe kërkonte shumë përpjekje. Herë pas here profesorja më telefononte për të pyetur ku kemi arritur. Ndërsa unë, për shkak të shumë tentativave, nuk arrija të them çfarë ka të re, sepse kishim gjashtë tentativa të pasuksesshme. Çfarë të thoja? Nuk më doli gjashtë herë radhazi siç duhej. Pra kishte shumë përpjekje, proces shumë intensiv, sidomos faza përgatitore, derisa gjetëm mënyrën se si ta realizojmë. Por pasi e arritëm, mendoj se tani jemi në një rrugë shumë të mirë për ta riprodhuar dhe përsëritur këtë, shpjegoi dr. Arsenkov.
Modeli 3D i përpunuar është unik – është bashkuar metoda më e vjetër me atë më të re në kirurgjinë plastike
Dr. Sofija Pejkova shpjegoi se modeli është bërë nga polimetilmetakrilat dhe është i perforuar për të mundësuar kontaktin mes pjesës së jashtme dhe asaj të brendshme të hundës. Unik është edhe fakti që për herë të parë është përdorur një “rezë” (flap), pra është marrë pjesë e lëkurës nga balli, ndryshe nga rekonstruksionet e mëparshme me këtë lloj 3D printimi ku zakonisht merrej lëkurë nga pjesë të dorës.
– Kur e planifikuam konceptin e rekonstruksionit, realisht mund të merrnim një pjesë lëkure nga dora apo nga diku tjetër. Por ideja ishte që të ishte sa më e ngjashme me fytyrën. Prandaj morëm një pjesë nga vetë fytyra, konkretisht nga balli, sepse tekstura dhe ngjyra e saj janë të njëjta me ato të fytyrës. Për këtë arsye tani pothuajse nuk vërehet që pacienti ka bërë ndonjë ndërhyrje. Ishte shumë interesante sepse para operacionit nuk kishim kë të pyesnim nëse ia vlente apo nëse ishte e realizueshme, tha ajo.
Doktoresha, e cila është edhe anëtare e Akademisë Amerikane të Kirurgëve Plastikë dhe ka ndjekur ligjërata nga emra të njohur botërorë, ndër të cilët edhe Samir Mardini, drejtor i Klinikës për Kirurgji Plastike në Mayo Clinic, specialist për transplantim të fytyrës, theksoi se bëhet fjalë për një procedurë shumë të ndërlikuar rekonstruktive.
– Është një procedurë shumë e sofistikuar dhe komplekse, por punon me polimetilmetakrilat, një material për të cilin diskutuam shumë me Stefanin, pasi përdoret gjerësisht, tha dr. Pejkova.
Dr. Arsenkov shtoi se ky material përdoret prej kohësh në mjekësi, por për këtë qëllim specifik ka pak dokumentim. Ai më parë kishte realizuar edhe rekonstruksion të kafkës me këtë material, pa komplikime.
– Por në këtë rast bëhet fjalë për hundë – organ përmes të cilit marrim frymë dhe që është i ekspozuar ndaj shumë ndikimeve të jashtme. Ka florën e vet bakteriale dhe për këtë arsye ishim sadopak skeptikë. Unë e pyeta profesorin Mardini dhe ia shpjegova situatën. Ai më sugjeroi të merrnim një pjesë nga dora, ndërsa unë i thashë se donim të ishim unikë. Flapi që përdorëm është në fakt metoda më e vjetër nga India, prej nga ka filluar kirurgjia plastike. Donim të bashkonim më të vjetrën me më të renë. Ai ishte pak skeptik, por më pas tha se koncepti ynë është i qëndrueshëm dhe se do të funksionojë. Na dha edhe këshilla si të mbajmë të hapura vrimat e hundës për të shmangur infeksionet në fazën e parë. Ai na ndoqi në çdo hap të procedurës, gjë që na dha shumë siguri, tregoi dr. Pejkova.
Dr. Arsenkov shtoi me entuziazëm se për të ishte e pabesueshme që për diçka që ai kishte bërë, drejtori i Mayo Clinic përdori termin “breakthrough” – një risi e plotë.

Pacienti pas realizimit të procedurës nuk pati komplikime
Sofija Pejkova shpjegoi se në javët e para pas implantimit nuk kishte asnjë komplikim, sidomos në lidhje me infeksionet që mund të shfaqeshin. – Nuk kishte asnjë terapi, përveç sprejit Aquamaris, që nuk është ilaç. Ai ishte trajtimi i vetëm pas operacionit. Megjithatë, kjo nuk është mukozë normale, por është bërë me qëllim që të afrohet sa më shumë me realitetin, tha dr. Pejkova.
Stefan Arsénkov shtoi se për të ishte interesant momenti kur për herë të parë i vendosën pikat për hundë.
– Thashë vendosi, duhet të shohim nëse është e kalueshme. Duhet të shkojnë aty ku duhet. Pyetja e parë është nëse pikat arritën në fyt. Nëse po, atëherë do të thotë se kalon siç duhet. Ishte një test shumë inteligjent dhe interesant për të parë nëse gjithçka funksionon siç duhet, tha ai.
Të dy mjekët u pajtuan se pacienti ishte shumë i disiplinuar dhe i durueshëm, gjë që ishte ideale për realizimin e një procedure të tillë, e cila është edhe rasti i parë i këtij lloji.

Përparësia e printimit 3D qëndron në përdorimin e tij në raste të rralla dhe komplekse – me teknologjinë e re, mundësitë janë të pafundme
Dr. Arsenkov theksoi se përparësia e printimit 3D është aplikimi i tij në raste të rralla dhe komplekse, pasi çdo gjë tjetër që është rutinë prodhohet në mënyrë serike dhe lidhet me probleme tashmë të zgjidhura.
– Thelbi është se këtu kemi një implant të personalizuar që i përshtatet vetëm një personi, vetëm një pacienti, për vetëm një rast. Kjo është përparësia. Sa larg mund të shkojë kjo, nuk mund ta imagjinojmë, sepse ajo që para një ose dy vitesh nuk ishte e mundur, tani bëhet e mundur falë zhvillimit të teknologjisë dhe inovacionit. Por ajo që kemi është vetëm një mjet. Na duhen raste të tilla dhe kirurgë si profesorja Pejkova, të gatshëm për të aplikuar këto inovacione për të arritur efekt maksimal tek pacientët. Mundësitë janë të shumta, por zbatimi duhet të jetë i përshtatshëm për çdo pacient. Tek pacientët me sëmundje malinje, ku ndërhyrje të tilla janë të domosdoshme, mund të arrihen rezultate shumë të mira, shpjegon ai.
Dr. Pejkova njoftoi se javën e ardhshme, nga 6 deri më 8 maj, në Shkup do të mbahet një kurs edukativ ku do të marrin pjesë emra të njohur të kirurgjisë plastike.

– Ky është kursi ynë i tretë për mikrokirurgji, pasi kjo fushë po bëhet më pak popullore sepse nuk është botoks apo filler. Një operacion zgjatë me orë të tëra, nuk është diçka që bëhet për disa minuta për përfitim të shpejtë. Në Shkup do të vijnë emra të njohur si June Pyo Hong nga Seuli, president i Shoqatës Botërore për Mikrohirurgji, Marco Innocenti nga Italia, Jaume Masia nga Barcelona, drejtor i Shkollës Evropiane për Mikrohirurgji Rekonstruktive, si dhe Eric Santamaria nga Meksika, specialist për kokë dhe qafë. Ky kurs është kryesisht për specializantët tanë në kirurgji plastike, por këtë vit kemi përfshirë edhe kirurgjinë vaskulare, kardiokirurgjinë, ORL dhe kirurgjinë maksilofaciale. Ne kemi Shoqatën Maqedonase për Mikrokirurgji Rekonstruktive dhe mbështetje nga Fakulteti, tha dr. Pejkova.
Ajo theksoi se është vështirë të arrihet deri te edukimi, pasi kurset zakonisht kushtojnë nga 3 deri në 5 mijë euro, ndërsa ky kurs do të jetë falas për specializantët vendas, gjë që e bën këtë sukses edhe më të madh.

Përparësitë e inteligjencës artificiale në mjekësi janë të mëdha – por faktori njerëzor mbetet vendimtar
Dr. Pejkova dhe dr. Arsénkov u pyetën për përparësitë dhe mangësitë e inteligjencës artificiale në mjekësi – të dy u pajtuan se përparësitë janë të mëdha, por faktori njerëzor mbetet vendimtar.
– Nëse gjatë operacionit unë dëmtoj një enë gjaku me instrument, nuk është faji i instrumentit. Pra, unë jam përgjegjës për mënyrën si e përdor atë. Edhe me inteligjencën artificiale është njësoj – ajo ende nuk mund dhe mendojë se kurrë nuk do të mund të marrë vendime në mënyrë autonome pa mbikëqyrje njerëzore. Të paktën për shkak të përgjegjësisë. Megjithatë, potenciali i saj është i madh dhe është një hap i madh përpara, tha ai.
Sipas tij, nëse inteligjenca artificiale përdoret për të përmirësuar jetën dhe shëndetin e pacientëve, pa u fokusuar në përfitime financiare, atëherë nuk priten pasoja negative.
– Nëse duam ta përdorim për të zëvendësuar punonjës dhe për të fituar më shumë, atëherë do të ketë gabime dhe pasoja negative. Por nëse e përdorim për të kapërcyer pengesat që nuk mund t’i zgjidhim vetë, atëherë do të sjellë përfitime të mëdha, vlerëson dr. Arsenkov.
Ai shtoi se inteligjenca artificiale mund të na ndihmojë të zbulojmë lidhje që i kemi pasur “para syve”, por nuk i kemi parë.
– Edhe në mjekësi mund të ketë lidhje shkak-pasojë që nuk i kemi vënë re deri më tani. Kjo mund të sjellë përparime të mëdha, por duhet përdorur me përgjegjësi. Çdo gjë që përdoret pa përgjegjësi mund të bëhet e rrezikshme – qoftë biçikletë apo makinë, tha ai.
Dr. Pejkova u pajtua se në mikrokirurgji po bëhen hapa të mëdhenj drejt përdorimit të inteligjencës artificiale.
– Inteligjenca artificiale sot është “machine learning”. Për ta shpjeguar supermikrokirurgjinë: është sikur të marrësh një farë luledielli dhe të qepësh brenda polenin – aq e imët është. Në këto lëvizje shumë të sakta, edhe një dridhje e vogël është gabim. Roboti nuk ka dridhje, por ai drejtohet nga kirurgu me një “joystick”. Unë shoh enën e gjakut ose limfatike dhe i jap komandë robotit çfarë lëvizjesh të bëjë, përfundon dr. Pejkova.
Foto: Darko Popov