Donacion gjerman për MPB-në për mbështetje në luftën kundër krimit të organizuar dhe mbrojtjes së kufijve
- Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski sot në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, mori pjesë në ceremoninë e pranim- dorëzimit të një donacioni nga Republika Federale e Gjermanisë në të cilën mori pjesë edhe ambasadorja e Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Petra Dreksler si dhe përfaqësuesit e Zyrës së lidhjeve të policisë federale të Republikës Federale të Gjermanisë.
Shkup, 20 shkurt 2026 (MIA)- Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski sot në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, mori pjesë në ceremoninë e pranim- dorëzimit të një donacioni nga Republika Federale e Gjermanisë në të cilën mori pjesë edhe ambasadorja e Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Petra Dreksler si dhe përfaqësuesit e Zyrës së lidhjeve të policisë federale të Republikës Federale të Gjermanisë.
"Donacioni me vlerë totale prej afërsisht 600,000 eurosh të realizuara në periudhën e kaluar, përfshin automjete motorike, kamera termike, pajisje dhe softuer kompjuterik, pajisje të specializuara për verifikimin e dokumenteve, si dhe automjete speciale për njësitin e aviacionit. Këto pajisje kanë për qëllim përmirësimin e kapaciteteve të Ministrisë në fushën e menaxhimit të kufijve, luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrabandës së emigrantëve, analizës së inteligjencës kriminale dhe ekzaminimeve mjeko-ligjore", njoftoi Toshkovski në rrjetet sociale.

Ministri Toshkovski theksoi se donacioni është një simbol i besimit dhe një partneriteti të fortë ndërmjet dy vendeve.
“Kjo ceremoni nuk është vetëm një pranim-dorëzim formal i pajisjeve, por një mesazh i qartë se Gjermania qëndron krah për krah me Maqedoninë në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar në mbrojtjen e kufijve tanë dhe në sigurimin e sigurisë së qytetarëve. Mbështetja që marrim nuk matet vetëm në burime materiale, por edhe në njohuri, trajnime dhe shkëmbim përvojash, që do të thotë forcim afatgjatë i kapaciteteve dhe profesionalizim i policisë së Maqedonisë”, theksoi Toshkovski.

Ai shprehu mirënjohje për Policinë federale të Republikës Federale të Gjermanisë dhe Ambasadën e Gjermanisë në Shkup për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, duke theksuar se gjashtë trajnimet e zbatuara për nëpunësit e policisë së Maqedonisë janë provë e bashkëpunimit strategjik dhe afatgjatë ndërmjet dy institucioneve.
Ministri theksoi se ndihma e këtillë paraqet një kontribut të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e sigurisë, si dhe në realizimin e vizionit të përbashkët për një Maqedoni të sigurt, të qëndrueshme dhe evropiane.

"Duke ofruar pajisje teknike, ne vazhdojmë bashkëpunimin tonë afatgjatë dhe të besueshëm policor. Forcimi i kapaciteteve të Maqedonisë së Veriut në pjesën e mbikëqyrjes së kufijve, në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, migrimit të paligjshëm dhe krimit ndërkufitar është në interesin tonë të përbashkët evropian. Së bashku punojmë për forcimin e Evropës - sot dhe në të ardhmen", theksoi ambasadorja Dreksler.
Foto: Fejsbuku i Pançe Toshkovskit